Sociale

Kosovë: 8 të vdekur dhe 147 raste të reja me COVID-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK) ka njoftuar të martën se janë shënuar edhe 8 viktima nga sëmundja COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Sipas IKSHPK-së në bazë të 534 mostrave të testuara janë regjistruar edhe 147 raste të reja të të infektuarve me koronavirus.
Nga sëmundja janë shëruar 197 pacientë derisa numri i rasteve aktive është 3.276.
Bazuar në këto të dhëna, që nga fillimi i pandemisë në muajin mars, në Kosovë janë regjistruar gjithsej 13.601 raste të të infektuarve, prej tyre 533 kanë vdekur ndërsa 9.792 janë shëruar.
Më herët Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Armend Zemaj, miratoi të martën një propozim të grupit profesional të Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale, që kjo e fundit të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut, për produktet Remdesivir, Favipiravir dhe Hidroksiklorinë.
Këta barna përdoren për trajtimin e pacientëve me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi.
Në një komunikatë për media të Ministrisë së Shëndetësisë thuhet se miratimi i ministrit Zemaj “vlen për periudhën gjatë pandemisë COVID-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta”. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë