Futboll

Kosova sfidon Serbinë, talenti 19-vjeçar i bashkohet ekipit dardan

Kosova është duke e sfiduar Serbinë edhe në futbollin ndërkombëtar, duke i marrë disa lojtarë që janë formuar në ekipet e moshave të Serbisë. Pas futbollistit të Hudersfilld, Florend Hadërgjonaj, ekipit të Kosovës pritet t’i bashkohet edhe talenti 19-vjeçar, Arton Zekaj. Federata e Kosovës pasi arriti të bindë lojtarin që të afrohet në ekipin e Shallandes, çoi letër në FIFA për t’i siguruar mundësinë Zekajt që ta ndërronte ekipin përfaqësues.

19-vjeçari Arton Zekaj është me prejardhje kosovare edhe pse vendlindja e tij është kryeqyteti serb, Beograd. Familja e tij është shqiptare dhe ai është i bindur që të veshë fanellën dardane. Më herët Zekaj ka luajtur me të gjitha ekipet e grupmoshave të Serbisë, madje për kategorinë U-21, ai kishte mbajtur edhe shiritin e kapitenit. Serbia më herët kishte bërë tentativa për të mos e lëshuar talentin Zekaj, por tani pas letrës së FIFA-s, do jetë e detyruar që ta lëshojë lejen brenda këtij muaji, në mënyrë që t’i shpëtojë penaliteteve nga qeveria botërore e futbollit.

Arton Zekaj luan në rolin e mesfushorit shkatërrues dhe preferon të jetë i tërhequr më pranë me mbrojtësit. Ai aktivizohet për klubin francez, Lille, ku u transferua gjatë merkatos së shkuar më 4 korrik të vitit 2018. Deri më tani ai e ka bërë vetëm një paraqitje, për shkak se ka qenë i dëmtuar. Me mbylljen e të gjitha procedurave burokratike, Zekaj pritet të jetë në dispozicion të trajnerit Shallandes edhe pse pritet që vetëm stërvitjet të kryej me ekipin e parë, pasi për të luajtur do të jetë në përfaqësuesen U-21, kundër Andorrës dhe Turqisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë