Kosova

Kosova prezanton masat për subvencionimin e energjisë, synohet kursimi i 12 mln eurove

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka prezantuar të enjten(6 tetor) masat për subvencionim të eficienës së energjisë për qytetarët, prej të cilave pretendon se do t’i kursejnë shtetit mbi 12 milionë euro për dimrin që po vjen.

Rizvanolli në konferencë për shtyp tha se duke filluar nga sot, qytetarët do të mund të aplikojnë për t’u subvencionuar nga këto masa.

“Nga sot kemi hapur thirrje për subvencionim për qytetarët në vlerë prej 6 milionë euro.

Pajisjet që do të subvencionohen janë kaldajët me biomasë – dru, peletë, briketë – që do të subvencionohen në masë deri në 70% të vlerës së investimit apo 1200 euro, pompat termike që ulin 30% të konsumit të energjisë do të subvencionohen deri në 2500 euro, kondicionerët eficentë deri në 40% apo 400 euro, stufat indivudale eficente me biomasë, dru, për familjet me skemë sociale me 90% apo 560 euro. Për të tjerët 70% apo 435”, ka thënë Rizvanolli.

Rizvanolli potencoi se me këto masa synojnë të përkrahin 10 mijë familje dhe të ulet me 70% konsumi i energjisë elektrike nga familjet që do të subvencionohen.

“Këto familje do të përfitojnë shumëfish. Direkt nga subvencionimi, kursimi në faturat e energjisë elektrike dhe ulja e shpenzimeve për dru dhe lëndë të tjera djegëse”, ka thënë ministrja e Ekonomisë.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar se në sezonin e dimrit do të ketë reduktime të energjisë, për shkak të mungesës së kapaciteteve prodhuese për të mbuluar kërkesën, si dhe çmimit të shtrenjtë të importit të rrymës.

Autoritetet e Kosovës në vazhdimësi u kanë bërë thirrje qytetarëve të vendit që të kursejnë energjinë elektrike, sidomos gjatë muajve të dimrit, në mënyrë që niveli i reduktimeve të energjisë të ulet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë