Kosova

Kosova po punon për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare

Në gati 12 muajt e fundit, Kosova nuk ka aplikuar për anëtarësim në asnjë nga organizatat ndërkombëtare.

Kjo ka ndodhur pasi në shtator të vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, Kosova u zotua të respektojë një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit, nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare. Kjo pikë ishte pjesë e Marrëveshjes për normalizim ekonomik, e cila u nënshkrua nga Kosova dhe Serbia nën ndërmjetësim të administratës së ish-presidentit amerikan, Donald Trump.

Marrëveshja detyron edhe Serbinë që të pezullojë iniciativën e saj për t’i bindur shtetet e ndryshme të botës që të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Moratoriumi njëvjeçar, që rrjedh nga Marrëveshja e Uashingtonit, skadon në fillim të muajit shtator.

Qeveria e Kosovës thotë se gjatë kësaj periudhe të moratoriumit janë bërë përgatitje për anëtarësim në ndonjë nga organizatat ndërkombëtare si dhe për faktin se cilat prej tyre konsiderohen me prioritet.

“Ministria e Punëve të Jashtme është duke u përgatitur për procesin e aplikimit në disa prej organizatave ndërkombëtare. Parapërgatitjet në këtë drejtim po bëhen nga ekipet përgjegjëse në mënyrë që të jemi gati kur të hapen afatet e aplikimeve nga organizatat”, thotë Ministria e Jashtme.

Drejtoresha ekzekutive e Platformës Civikos, Donika Emini, beson se Qeveria e Kosovës duhet të shfrytëzonte periudhën njëvjeçare që jetë gati, para shtatorit, për aplikim në organizata si Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) dhe në Agjencinë për Arsim, Shkencë dhe Kulturë të Kombeve të Bashkuara (UNESCO).

Në të kaluarën, institucionet e Kosovës kishin dështuar në momentet e fundit që të merrnin përkrahjen e nevojshme për t’u bërë pjesë e këtyre dy organizatave.

“Askush nuk e ka penguar Kosovën për përgatitjen e aplikimeve, koordinimit të brendshëm dhe koordinimin ndërinstitucional sepse ka qenë e qartë se ky afat hiqet në shtator dhe në shtator mund të jemi plotësisht gati, në pritje të procedurave”, thotë Emini.

Emini thotë se qeveria deri më tani ka folur vazhdimisht për anëtarësim në NATO dhe Bashkim Europian, por që sipas saj, për momentin janë të paarritshme si dhe pengohen për shkak të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Qeveria duhet të ketë synime shumë të detajuara se ku synon të anëtarësohet, se cilat janë ato institucione si dhe kush e udhëheq procesin prej institucioneve të Kosovës për anëtarësim në mekanizma të bashkëpunimit ndërkombëtarë”, thekson Emini.

Njohja e fundit e pavarësisë së Kosovës është ajo e Izraelit, më 1 shkurt të këtij viti. Kjo njohje erdhi pas gati tri vjetësh pa asnjë njohje të re. Sipas Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kosova aktualisht njihet nga 117 shtete.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë