Pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike me Izraelin, Kosova ka sinjalizuar se do të vazhdojë zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes së nënshkruar me presidentin Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, përfshirë edhe hekurudhën Prishtinë-Beograd.
Më 3 shkurt ka hyrë në fuqi marrëveshja për nxitjen e investimeve ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kosovës për ndërtimin e autostradës Prishtinë - Merdare dhe linjës hekurudhore Beograd – Prishtinë. Ministri në detyrë i Infrastrukturës në Kosovë, Arban Abrashi deklaroi se kjo marrëveshje do të krijojë qindra vende të reja pune.
Në samitin e mbajtur në Shtëpinë e Bardhë, Kosova nënshkroi dy dokumente, që parashikonin marrjen e investimeve nga Korporata Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar Financiar. Ministri në detyrë, Abrashi, thotë se përveç ndërtimit të autostradës dhe hekurudhës, hyrja në fuqi e kësaj marrëveshjeje, ka rëndësi të veçantë sepse do të përkrahet sektori privat.
“Mundësitë për financim të bizneseve e projekteve përmes qasjes në fondet e DFC-së, do të jenë një nxitje e mundësi e shkëlqyer për ndërmarrësit nga Kosova, që do të ndikojë në zhvillimin e e vendit dhe në krijimin e vendeve të reja të punës”, tha ai.
Autostrada Prishtinë - Merdare, 27 kilometra e gjatë, e njohur ndryshe edhe si "Autostrada e Paqes" është një nga projektet e përfshira në Marrëveshjen e Uashingtonit dhe kushton përafërsisht 200 milionë euro. Kurse, segmenti hekurudhor Prishtinë - Merdare, me gjatësi prej 45 kilometrash arrin në 150 milionë euro.
Arian Zeka, drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës, tha se nisja e zbatimit të marrëveshjes së DFC-së, do të ndihmojë sektorin privat. “Këto janë instrumente financiare të cilat u jepen bizneseve që u jepen bizneseve që të investojnë në Kosovë ose të zgjerojnë investimet e tyre në Kosovë dhe rajon”, tha Zeka.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.