Futboll

Kosova nuk ndalet, i bashkohet edhe futbollisti që luan në Bundesligë

Kosova është duke i kaluar shumë shpejt etapat e saj në futbollin ndërkombëtar. Pas rezultateve mbresëlënëse në eliminatoret e kampionatit europian, skuadra dardane ka bërë një tjetër goditje të rëndësishme. Në ekipin e drejtuar nga zvicerani Shalland, do të afrohet edhe mesfushori që këtë sezon luajti në Bundesligë, Florent Muslija. Ky i fundit vetëm 20 vjeç bëri debutimin në elitën e futbollit gjerman me ekipin e Hanoverit.

Më herët ai ka qenë pjesë e ekipeve të moshave të Gjermanisë dhe tashmë ka vendosur të mbrojë fanellën e Kosovës. Ai do të jetë në dispozicion të ekipit kosovar duke filluar që nga dy ndeshjet e radhës me Çekinë dhe me Anglinë, të vlefshme për eliminatoret e Euro 2020.

Zyrtarizimi ka ardhur nga ana e Federatës Kosovare të Futbollit përmes një komunikate të shpërndarë për mediet. Ndërsa vetë futbollisti 20-vjeçar është shprehur shumë i lumtur për këtë zgjedhje që do të luaj me ekipin e orgjinës së tij.

“Jam i lumtur që sot i bashkohem Dardanëve dhe do të jap më të mirën time për të arritur maksimumin  e rezultateve me ekipin kombëtar. I falënderoj të gjithë, Besin, Fekmin dhe drejtuesit e FFK-në, por edhe familjen time që më kanë përkrahur”, u shpreh Muslija pasi pranoi të luante zyrtarisht për Kosovën.

Muslija pritet që gjatë kësaj vere të ndryshojë ekip, pasi Hanoveri nuk mundi të mbijetonte në elitën gjermane të futbollit. Gjithsesi edhe nëse nuk do të largohet një vend titullari në Bundesliga 2 do të ishte një eksperiencë e vyer për mesfushorin e talentuar për tu pjekur dhe më pas të hedhë hapa të sigurt në karrierën e tij që premton të jetë shumë e suksesshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë