Kosova

Kosova nuk do të marrë vaksinën nga Bill Gates, por nga Banka Botërore

Kosova duket se ka zgjedhur në rrugë tjetër nga Shqipëria për sigurimin e vaksinës së koronavirusit, duke mos zgjedhur ta marrë nga Fondacioni i miliarderit Bill Gates.

Ministrja e Financave në Qeverinë e Kosovës, Hykmete Bajrami ka bërë të ditur se Kosova do ta sigurojë vaksinën kundër koronavirusit, kurdo që ajo të jetë e gatshme, përmes Bankës Botërore.

Në një konferencë për media të premten, pas mbledhjes së qeverisë, Bajrami tha se vaksina do të sigurohet përmes kredive nga Banka Botërore.

“Ne jemi në negociata me Bankën Botërore që të hyjmë në një projekt të sigurimit të vaksinës anti-Covid, dhe do të jemi ndër vendet e para që do ta marrim sapo të dalë”, tha Bajrami.

Ajo shtoi se në takimin e fundit me Bankën Botërore, me pjesëmarrjen e më shumë se 50 shteteve, është bërë një prezantim i një numri të madh të vaksinave.

“Kjo është një pako vaksinash që Banka Botërore do t’i blejë për një numër të madh shtetesh, kështu nuk do të bëhet prokurim specifik për Kosovën. Banka Botore është bankë dhe kjo do të bëhet përmes kredive dhe jo përmes donacioneve, mirëpo kushtet janë të favorshme”, tha ajo.

Kryeministri Edi Rama njoftoi të enjten se Shqipëria do t’i siguronte dozat e para të vaksinës kundër koronavirusit nëpërmjet fondacionit të miliarderit amerikan Bill Gates.

Por ndryshe nga Kosova, qeveria shqiptare ka kërkuar që të blejë një milion e njëqind e dyzet mijë doza vaksine anti-covid duke nënshkruar një marrëveshje me ‘Covax Facility’, kompani me qendër në Gjenevë të Zvicrës e financuar nga Gates. Ajo ka pronotuar sasinë e vaksinave që nevojiten për 20% e popullsisë. Sipas aktmarrëveshjes që është depozituar në Kuvendin e Shqipërisë, një person do të marrë dy doza vaksine dhe sasia prej 1.14 milionë dozash do të shërbejë për rreth 570 mijë shqiptarë.

Shuma totale që Shqipëria po i jep Covax është 3.99 milionë dollarë, një shumë parash do të rrijë e ‘ngrirë’ nga pala shqiptare deri në zbulimin e vaksinës, pasi në marrëveshje është vendosur si klauzolë që vaksina do te merret pasi të certifikohet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Shqipëria i është bashkuar kështu vendeve të varfra të Europës dhe mbarë botës, për të siguar në kohë dozat e vaksinës, nëpërmjet Fondacionit Gates ndërkohë që vendet e pasura kanë rezervuar miliona doza.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë