Kosova

Kosova zbaton një nga pikat e marrëveshjes së Uashingtonit, i mbyll derën Kinës për 5G

Kosova është vënë në lëvizje për të zbatuar një pikë të marrëveshjes së nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në Uashington më 4 shtator.
Ajo ka të bëjë me rrjetin 5G dhe përdorimin e pajisjeve të teknologjisë nga shitës të sigurt.
Sipas një njoftimi të Qeverisë së Kosovës, kryeministri, Avdullah Hoti ka pritur sot në takim përfaqësuesit e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), si organi më kompetent në fushën e komunikimeve elektronike.
“Kosova do të ndalojë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetet e tyre të komunikimit. Aty ku mund të ketë pajisje të tilla, institucionet përkatëse të vendit do të angazhohen për heqjen e tyre”, ka thënë në takim kryeministri Hoti, sipas komunikatës.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett, ka përgëzuar Kosovën, që siç ka thënë, është siguruar se rrjetet e saj të gjeneratës së pestë të komunikimeve, 5G, janë në rrugë të pastër, të lira nga ofrues që nuk u besohet dhe në linjë me Marrëveshjet e Uashingtonit.
“Ne do të vazhdojmë në punojmë së bashku drejt integrimit të sigurt të komunikimit rajonal dhe zgjerimit të ekonomisë digjitale të Kosovës”, ka thënë Kosnett përmes një postimi në rrjetin social, Twitter.

https://twitter.com/USAmbKosovo/status/1317090069765902336

Në marrëveshjen për normalizim ekonomik të nënshkruar më 4 shtator në Uashington, nga Kosova dhe Serbia, në prani të presidentit amerikan, Donald Trump, vendet janë zotuar se do të ndalojnë përdorimin e pajisjeve 5G, të siguruara nga shitës të pabesueshëm, në rrjetin e komunikimit.
Shtetet e Bashkuara janë duke komunikuar me shumë vende në botë, për të kundërshtuar bashkëpunimin e tyre me kompaninë kineze Huawei dhe rrjetin e saj 5G.
Uashingtoni e ka vendosur këtë kompani në “listën e zezë” pasi vlerëson se ajo paraqet rrezik për sigurinë kombëtare dhe e përdorë teknologjinë e saj për të spiunuar në emër të Qeverisë kineze. /REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë