Nga Gazeta ‘Si’- Me numërimin e mbi 95% të votave, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje prin me 43.47%.
LVV ndiqet nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.40%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.88% dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.19%.

Këto rezultate e nxjerrin Vetëvendosjen dukshëm më poshtë se në zgjedhjet e 28 dhjetorit, kur kishte marrë mbi 51% të votave. Në ato zgjedhje, PDK kishte fituar 20.2%, LDK 13.2% dhe AAK 5.5%.
Votat e numëruara deri tani nuk përfshijnë ato të diasporës.
Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 35%, dukshëm më e ulët se në zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur votuan rreth 45% e trupës zgjedhore.
Zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë ishin të tretat brenda rreth 16 muajsh, pas atyre të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit.
Të parat nuk prodhuan qeveri, ndërsa të dytat – megjithëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, shumicën më të madhe në Kosovën shtet – dështuan të sigurojnë marrëveshje për presidentin, siç kërkohej nga Gjykata Kushtetuese.
Si pasojë, Kuvendi u shpërnda automatikisht më 28 prill, vetëm dy muaj e gjysmë pas konstituimit, ndërsa dy ditë më vonë ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, shpalli zgjedhjet e reja – këto të 7 qershorit.
Vëzhguesit e zhvillimeve politike parashikojnë tre skenarë të mundshëm: përqendrim i pushtetit te Lëvizja Vetëvendosje, kompromis i detyruar politik, ose vazhdim i krizës me rrezik për zgjedhje të reja.
Paqëndrueshmëria institucionale, sipas tyre, rrezikon të ngadalësojë integrimin në BE, të kufizojë fondet dhe investimet, si dhe të dobësojë mbështetjen nga BE-ja dhe SHBA-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje