Kosova

Kosova ndal për një vit aplikimin për antarësim në organizatat ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti njoftoi sot se Kosova ka nisur zbatimin e marrëveshjes së  nënshkruar nga Prishtina dhe Beogradi në Shtëpinë e Bardhë, duke thënë se ka qeveria e tij ka anuluar aplikimin në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

Ai deklaroi në një fjalim në parlament se Kosova ta pezullojë për një periudhë njëvjeçare aplikimin, por kjo nuk do të thotë se nuk po përgatitjet për këtë çështje.

“Ne po vazhdojmë koordinimin e plotë me të gjithë partnerët dhe partnerin tonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që të sigurohemi se aplikimet tona në organizata ndërkombëtare nuk dështojnë, siç ka ndodhur në të kaluarën”, tha Hoti.

Hoti i bëri këto në një interpelancë të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje, lidhur me pezullimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL..

Një ndër pikat e marrëveshjes të nënshkruar në Uashington është që Kosova të mos kërkojë anëtarësim të ri në organizata ndërkombëtare për një vit, ndërsa Serbia, për të njëjtën periudhë kohore, të ndalojë fushatën kundër njohjes se pavarësisë së Kosovës.

Fitore Pacolli, deputete e Lëvizjes Vetëvendosje, tha me këtë marrëveshje, se kryeministri Hoti, “me vullnetin e tij të lirë dhe në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Republikës se Kosovës”, u zotua se do të pezullojë të drejtën legjitime të shtetit të Kosovës.

“Shteti i Serbisë është ai ka kërkuar që Kosova të heqë dorë nga aplikimi për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare”, deklaroi ajo.  “Pse të shpenzojë para dhe energji Serbia për të bllokuar Kosovën përmes lobimit dhe angazhimit të saj diplomatik, kur Kosova e bllokon veten me dëshirën e saj?”, tha Pacolli.

Duke nisur që nga viti 2017, Serbia ka bërë fushatë agresive diplomatike për tërheqjen e njohjeve të shtetit të Kosovës. Për shkak të lobimit të saj, disa shtete thuhet se kanë ngrirë raportet dhe bashkëpunimin me Kosovën. Fushata e Serbisë ka penguar Kosovë të anëtarësohet në INTERPOL dhe UNESCO.

Përveç INTERPOL-it dhe UNESCO-s, Kosova nuk është anëtare as e Organizatës së Kombeve te Bashkuara, Këshillit të Europës, Organizatës Botërore të Tregtisë, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë dhe Bashkimit Europian.

Organizatat, në të cilat është anëtarësuar Kosova, janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Botërore e Futbollit, Federata Europiane e Futbollit, Komiteti Olimpik, Organizata Botërore e Doganave, Marrëveshja për Tregti të Lirë e Europës Qendrore (CEFTA).


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë