Futboll

Kosova kalon Shqipërinë dhe në infrastrukturë, prezantohet projekti i stadiumit të ri (FOTO)

Kosova është duke mahnitur gjithë Europën me futbollin e saj. Talente pa fund dhe një dëshirë shumë e madhe për sukses kanë bërë që ekipi i ri Kosovës të marrë rezultate shumë të mira në eliminatoret e kampionatit europian 2020 dhe të jetë për 14 ndeshje radhazi i pamposhtur.

Por në Kosovë duket se kanë plane shumë serioze dhe afatgjata për zhvillimin e futbollit. Në shërbim të kësaj ideje, në Kosovë është prezantuar edhe projekti për stadiumin e ri kombëtar.

Impianti i ri i ngritur i gjithi nga e para do të jetë në qytetin e Drenasit raportojnë mediet kosovare. Ashtu si në fushën e lojës, ku Kosova e ka parakaluar Shqipërinë me rezultatet e marra, e njëjta gjë pritet të ndodhë shumë shpejt edhe në fushën e investimeve që bëhen për këtë sport. Impianti i ri për përfaqësuesen e Kosovës do të jetë me një kapacitet prej 30 mijë vendesh. Në prani të politikanëve më të rëndësishëm të Prishtinës dhe të disa prej “yjeve” të ekipit të Shalland është prezantuar maketi dhe projekti për këtë impiant të ri modern.

Nga pamjet e publikuara të maketit, stadiumi i Kosovës do të jetë shumë i ndryshëm nga ai që po përfundon në Tiranë. Nuk do të ketë një kullë dhe do të jetë i rrethuar nga disa fusha të tjera që do të shërbejnë si anekse të tij për stërvitjen e ekipit kosovar.

Deri më tani, Kosova ka luajtur në stadiumin e qytetit të Prishtinës, “Fadil Vokrri” dhe sapo të përfundojnë ndërtimi i këtij stadiumi, Kosova do të shpërngulet në Drenas. Për stadiumin e Kosovës më herët ka pasur shumë debate, duke e cilësuar vendimin politik, pasi fillimisht ishte caktuar në Bërnicë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë