Futboll

Kosova jep spektakël në “Fadil Vokrri”, Danimarka shpëton në shtesë

Spektakël në fushë dhe në shkallët e stadiumit “Fadil Vokrri”, ku Kosova barazoi 2-2 në miqësoren me Danimarkën. Një ndeshje shumë e bukur nga Kosova e drejtuar nga trajneri Bernard Shalande. Edhe pse ishte një miqësore, tifozët kishin mbushur stadiumin dhe gjithë kohën kanë përkrahur ekpin e tyre. Përballë ishte një kundërshtar i fortë, me shumë përvojë në arenën ndërkombëtare, por që i ka shpëtuar humbjes në kohën shtesë.

Sulmi i Kosovës, me lojtarë si Milot Rashica, Arbër Zeneli, Bersant Celina dhe Murriqi, ishte mjaft i rrezikshëm gjithë kohën, por goli i parë erdhi nga një mbrojtës, Amir Rrahmani. Ish-lojtari i Partizanit, aktualisht te Dinamo e Zagrebit, realizoi me kokë në fundin e pjesës së parë. Pas minutës së 60-të, Danimarka hodhi në fushë edhe lojtarët e saj më të mirë, Eriksen, Kjaer dhe Dolberg. Ishte pikërisht ylli i Totenhemit, Kristian Eriksen, i cili barazoi me penallti, por pas pak minuash Celina e kaloi sërish Kosovën në avantazh. Kur u mendua se Kosova e fitoi ndeshjen, në minutën e parë shtesë, Danimarka barazoi me Hojberg.

Tifozët e Kosovës gjatë ndeshjes

Një ndeshje me shumë ritëm dhe kualitet nga ana e Kosovës, që ndeshjen e parë kualifikuese për Euro 2020 do ta luajë pas pak ditësh ndaj Bullgarisë. Kosova bën pjesë në Grupin A, bashkë me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. Paraqitja në miqësoren me Danimarkën tregoi se është në rrugë të mbarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë