Kosova

Kosova i shpalli “non grata” dy diplomatët, reagon ambasada Ruse: S’ka fuqi ligjore, nuk e njohim pavarësinë e Kosovës

Kosova urdhëroi dëbimin e dy diplomatëve rusë, duke akuzuar Moskën për aktivitete “destabilizuese”. Ky veprim solli reagimin e Ambasadës Ruse në Serbi, një ditë më pas.  

“Ne nuk e njohim ‘pavarësinë’ e Kosovës dhe në përputhje me rrethanat, ‘qeverinë’ rajonale dhe strukturat e tjera. Për ne asnjë vendim i Prishtinës nuk ka fuqi ligjore”, thuhet në reagimin e Ambasadës ruse të Serbisë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, njoftoi të premten (22 tetor) se dy diplomatët e Zyrës Ndërlidhëse të Rusisë në Kosovë janë shpallur persona të padëshiruar (non grata) dhe janë urdhëruar të largohen nga vendi.

Ajo tha se i ka kërkuar zëvendëskryeministres, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla-Schëarz, t‘i shpallë persona të padëshiruar dy zyrtarët rusë për shkak të “aktivitetit të tyre të dëmshëm, i cili ka cenuar sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të vendit”.

“MPJD-ja ka nxjerrë vendimin për shpalljen e këtyre dy zyrtarëve rus persona të padëshirueshëm dhe në të njëjtën kohë i ka njoftuar institucionet ligjzbatuese dhe autoritetet përkatëse për zbatimin e tij”, thuhej në një njoftim të presidentes Osmani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë