Kosova

Kosova heq testimin në kufi, qytetarët dynden drejt Shqipërisë

Më pak se dy ditë pasi hyri në fuqi, Kosova ka anuluar vendimin për testimin e udhëtarëve në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Ambasadori i Shqipërisë në Republikën e Kosovës, Qemal Minxhozi, ka njoftuar sot se testi PCR për shqiptarët që duan të futen në Kosovë, nuk do të kërkohet në vazhdim. "Si në drejtim të Kosovës, ashtu edhe në drejtim të Shqipërisë për shtetasit Kosovës nuk do të ketë nevojë për teste ose PCR”, u shpreh ambasadori.

Minxhozi foli edhe për marrëveshjet mes qeverisë së Shqipërisë edhe asaj të Kosovës, për të cilat tha se kanë qenë një shtysë e madhe për ekonominë. “Trendi i rritjes së shkëmbimeve ka pasur një ritëm, kjo falë edhe punës së madhe të institucioneve, por duhet ta pranojmë që ende ka burokraci, ende ka qëndrime të dyfishta, sidomos në vonesat që bëhen ne transportimin e mallrave drejt Shqipërisë dhe Kosovës”, përfundoi ai.

Heqja e testimit ka aedhur pasi ashpërsimi i masave kufizuese anti Covid në Kosovë ka bërë që qytetarët të kthejnë kokën nga Shqipëria për të kaluar fundjavën. Pas masave të reja të vendosura nga qeveria Kurti, radhë të gjata automjetesh janë krijuar në Morinë.

Një ndër shkaqet kryesore për krijimin e radhëve të gjata në kufi duket se është bërë fakti i orës policore në Kosovë. Pritjet, në këtë pikë kufitare shkojnë deri në një orë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë