Kosova

Kosova ftohet nga Biden për Samitin e Demokracisë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë ftesë zyrtare nga presidenti i SHBA-së, Joseph Biden, për pjesëmarrje në Samitin për Demokraci, i cili do të mbahet më 9 dhe 10 dhjetor.

“Falënderoj presidentin Biden për ftesën në Samitin për Demokraci, i organizuar nga Shtëpia e Bardhë, si dhe vlerësimin për partneritetin e ofruar nga Kosova për të punuar drejt ndërtimit të shoqërisë demokratike, që respekton të drejtat e njeriut, të cilat ia mundësojnë secilit qytetar ta përmbushë potencialin e vet.”-shkruan ajo teksa më tej ka potencuar se ftesa ka ardhur pas takimeve që pati javën e kaluar në Washington.

“Pas takimeve produktive të javës së shkuar në Washington, në të cilat jam njoftuar se Kosova do të jetë pjesë e këtij Samiti, jam e nderuar ta pranoj ftesën nga presidenti Biden. Republika e Kosovës është shembull i ndritur i përpjekjeve të vazhdueshme për liri e demokraci. Si e tillë është model për rajonin tonë dhe më gjerë. Kosova do ta ndajë përvojën e saj të veçantë në ndërtimin e institucioneve dhe praktikave demokratike, në partneritet të jashtëzakonshëm me miqtë tanë ndërkombëtarë – ku rol prijatarë kanë pasur Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jam e lumtur që në emër të Republikës së Kosovës do t`i prezantoj të arriturat dhe sfidat që i kemi, si dhe do të angazhohemi bashkërisht që gjatë 12- muajve të ardhshëm ta zbatojmë një plan ambicioz për fuqizimin e mëtejmë të demokracisë sonë të re, në mënyrë që qytetarët tanë t’i ndjejnë përfitimet e një udhëheqjeje demokratike të bazuar në sundim të ligjit, të drejta të njeriut dhe gjithëpërfshirje shoqërore”, është shprehur ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë