Kombetarja

Kosova mposht Shqipërinë edhe me ekipin U-17

Pas triumfit të ekipit të madh disa muaj më parë, Kosova ka marrë një tjetër fitore shumë të rëndësishme me Shqipërinë në futboll. Ekipi kosovar këtë herë ka dëshmuar se është më e fortë se skuadra kuqezi edhe në moshat e reja. Në miqësoren e zhvilluar në “Loro Boriçi” Kosova përveç se ka fituar 0-1, ka dëshmuar edhe një nivel loje më të lartë.

Golin që i dha fitoren Kosovës e shënoi futbollisti Leonard Zeqiri në pjesën e dytë në minutën e 65-të. Deri në momentin e shënimit të golit, loja kishte qenë e barabartë në disa aspekte edhe pse Kosova ishte disi më lart në aspektin atletik. Por skuadra shqiptare me Xhemal Mustedanagiç në stol, ishte më e përgatitur në planin taktik dhe arrinte të kontrollonte më mirë lojën, duke mbajtur topin më shumë.

Shqipëria e filloi ndeshjen me këtë formacion: Ceka, Sulovari, Shehu, Smajlaj, Zaimi, Doda, Preka, Stafa, Arapi, Altindag, Kotrri. Pjesa më e madhe e këtyre futbollistëve luajnë në kampionatet vendase të moshave dhe shumë pak vijnë nga akademitë jashtë vendit. Ndërkohë për Kosovën raporti ishte i përmbysur, pasi pjesa më e madhe e futbollistëve luajnë jashtë vendit dhe kjo ishte aspekti që bëri diferencën.  Sakaq sa i përket atmosferës në stadium, “Loro Boriçi” ishte i zbrazur, siç zakonisht ndodh për ndeshjet e këtyre moshave.Përfaqësuesja e U-17 e Shqipërisë do të zhvillojë edhe një ndeshje miqësore në datën 11 shtator në stadiumin e Shkodrës. Federata Shqiptare e futbollit ka njoftuar se hyrja për sportdashësit do të jetë falas.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë