Kosova

Kosova feston 22-vjetorin e çlirimit, hyrja e trupave të NATO-s i dha fund luftës

Këtë të shtunë, mbushen 22 vjet nga përfundimi i luftës së Kosovës, ku iu dha fund masakrave dhe gjenocidit serb mbi qytetarët e pafajshëm shqiptarë. Dita e Çlirimit të Kosovës shënoi kthesën më të madhe në histori. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër mes Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave serbe.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë hynë rreth 50 mijë trupa të KFOR-it, nga 39 kombe të ndryshme të botës, të cilat i rikthyen kosovarëve shpresën.

22 vjet më parë, ish-presidenti serb, Sllobodan Millosheviç dhe ushtria e tij, u dorëzuan para NATO-s. Sulmet ajrore filluan më 24 mars, 1999, pas dështimit të bisedimeve në Rambuje të Francës.

Bill Clinton drejtonte Shtëpinë e Bardhë, kur nisën sulmet ajrore të forcave të Aleancës se Atlantikut te Veriut kundër makinerisë ushtarake serbe në terrotorin shqiptar. Me urdhrin e ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, bombardimet nisën më 24 mars, 1999.

Pas 78 ditësh të sulme, bombardimet u ndërprenë  më 10 qershor 1999, me miratimin e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Kjo Rezolutë, ishte një kompromis i pesë vendeve të përhershme anëtare të Këshillit të Sigurimit në bazë të së cilës, në Kosovë vendosej një administratë e Kombeve të Bashkuara, e quajtur UNMIK.

Më herët, ishte nënshkruar edhe Marrëveshja Teknike e Kumanovës, e cila parashihte tërheqjen e të gjitha forcave serbe nga Kosova dhe hyrjen e trupave ndërkombëtare.

Hyrja e NATO-s në Kosovë, më 12 qershor 1999 mundësoi kthimin në shtëpitë e tyre të më shumë se 800 mijë refugjatëve.

Politika kosovare, homazhe për 22-vjetorin e çlirimit

Kryeministri Albin Kurti së bashku me presidenten Vjosa Osmani dhe kreun e Parlamentit, Glauk Konjufca, kanë bërë homazhe dhe kanë vendosur kurora lulesh të Pllaka Përkujtimore e ushtarëve të rënë të NATO-s, me rastin e 22-vjetorit të çlirimit të Kosovës.

Presidentja Osmani është shprehur se NATO ka qëndruar pranë Kosovës në momente të errëta të historisë.

“Jemi këtu për të nderuar kontributin e jashtëzakonshëm të secilit ushtar të NATO-s, të cilët i qëndruan përkrahë Kosovës në momentet më të errëta të historisë së saj. Jemi po ashtu këtu për të nderuar vazhdimin e këtij kontributi i cili nuk është ndalur në vitin 1999, atëherë kur edhe forcat e NATO-s hynë në Kosovë, duke u shndërruar kështu në shpëtimtarët e popullit të Kosovës, por kontribut i cili ka vazhduar edhe më tej dhe vazhdon edhe sot për paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe gjithë rajonin”, tha ajo.

Lidhur me këtë ditë të rëndësishme, ka folur edhe Kurti, I cili ka kujtuar 11 qershorin, që sipas tij ishte zjarr në qiell dhe zjarr në tokë, ndërsa më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviçit për të ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar.

Ai tha se më 12 qershor kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë.

“Në qershorin e vitit 1999 kishim zjarr në qiell dhe zjarr në tokë por më 12 qershor këmbësoria e NATO-s i bashkohet ndërhyrjes nga ajri kundër Jugosllavisë së Millosheviçit për ta ndaluar gjenocidin mbi popullin shqiptar. Siç e tha edhe presidentja e Republikës, më 12 qershor ne kremtojmë paqen, çlirimin dhe lirinë dhe këtë ia përkujtojmë vetës çdo ditë, sepse të gjithë ato gra e burra që u sakrifikuan, dhanë jetën ndodhen në themelet e institucioneve tona, të shtetit tonë, të pavarësisë sonë, të cilin duhet ta shpijmë më tej më zhvillim, drejtësi dhe demokraci”, tha Kurti.

Edhe kryeparlamentari Konjufca tha se liria e Kosovës ka ardhur fal kontributit të UÇK-së, dëshmorëve që dhanë jetën për liri.

“Liria jonë ka ardhur si kontribut i UÇK-së, i dëshmorëve tanë që e dhanë jetën për liri, por edhe i bashkimit, kontributit të përpjekjes sonë çlirimtare me faktorët ndërkombëtare që e ndihmuan luftën tonë dhe ne u çliruam nga okupimi i Serbisë. Vetë fakti se aleanca më e madhe ushtarake i doli në ndihmë popullit të Kosovës, e bombardoi Serbinë për shkak të gjenocidit që ajo shtroi mbi popullin tonë, tregon se kauza jonë ishte shumë e drejtë, liria jonë ishte shumë e shtrenjtë”, - tha Konjufca.

Mesazhi i presidentit Meta: Liria dhe pavarësia është e shtrenjtë

Edhe presidenti I Shqipërisë, Ilir Meta, i uron Kosovës Ditën e Çlirimit dhe garanton se "Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, avancimit të procesit të integrimit euroatlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme”.

“Dita e Çlirimit të Kosovës, për të cilën çdo qytetar i saj kontribuoi dhe sakrifikoi, na kujton sot se sa e shtrenjtë është liria dhe pavarësia, - shkruan Meta në një postim në Facebook. - Sot është dita për të nderuar rezistencën dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Presidentin Ibrahim Rugova, Komandantin legjendar, Adem Jashari dhe të gjithë martirët e kombit shqiptar”.

Sipas Metës, “Kosova, faktor paqeje, stabiliteti dhe sigurie në rajon, meriton të jetë anëtare e NATO dhe liberalizimi i vizave për qytetarët e saj është një domosdoshmëri, që duhet të ndodhë sa më parë. Shqipëria do të jetë gjithmonë pranë Kosovës në mbështetje të sovranitetit dhe integritetit të saj, avancimit të procesit të integrimit euroatlantik dhe në të gjitha sfidat e ardhshme”.

Kreu i shtetit shqiptar, shpreh falënderim dhe mirënjohje për NATO-n, “që kurorëzuan këtë aspiratë shekullore”, - vijon Meta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë