Kosova

“Kosova është zemra e Evropës,” Vuçiç i revoltuar me Gjermaninë: Edhe britanikët janë më korrektë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka komentuar deklaratën e të dërguarit të posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin se Kosova e ka mbështetjen e Berlinit për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Do të filloja, nëse më lejoni në një mënyrë tjetër, t’u drejtohem qytetarëve të Serbisë. Ndonjëherë në këto kohë është më e mençur të heshtni për disa gjëra”, citojnë mediat serbe të ketë thënë presidenti serb në TV Prva.

Vuçiç komentoi edhe thirrjen e ministrave të G7-ës që i bënë thirrje Serbisë ta harmonizojë politikën e saj me BE-në. Ai i quajti “politikë pa parime” dhe “presione brutale” disa pjesë të deklaratës së G7-ës, ndërsa nuk u përmbajt duke shprehur mllefin e tij ndaj Gjermanisë.

“Edhe britanikët sillen më korrekt se gjermanët, të paktën nuk do ta përdorin sëpatën menjëherë”, tha Vuçiç.

Emisari i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka thënë të shtunën(14 maj) se Kosova është zemra e Evropës dhe se i përket Këshillit të Evropës, duke theksuar se e ka mbështetjen e plotë të Gjermanisë në këtë proces.

Për këtë, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla e falënderoi në gjermanisht në profilin e saj në Twitter, duke shpërndarë fjalët e Sarrazin.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë