Sociale

Kosova dhe Shqipëria pritet të hapin kufirin, pushuesit mund të lëvizin në qershor

Ndërkohë që kanë marrë lehtësimin e masave, Kosova dhe Shqipëria kanë nisur këto ditë edhe hapjen graduale të kufirit Kosovë-Shqipëri.

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Qemajl Minxhozi tha se të parët që do të lejohen të kalojnë janë qytetarët e Kosovës të cilët kanë leje qëndrimi apo shtetësi shqiptare.

Ato do të lejohen të udhëtojnë për t’u vendosur në pronat e tyre me kushtin që të vetëizolohen në shtëpitë e tyre, duke respektuar rregullat e qytetit ku do të qëndrojnë.

“Kjo nuk do të thotë që ata nuk mund të dalin jashtë shtëpive dhe banesave të tyre për të kryer shërbime në orare të caktuara siç është për të gjithë qytetarët shqiptarë”, thotë Minxhozi.

Shtimi numrit të rasteve me koronavirus ditëve të fundit në Kosovë e ka vështirësuar marrjen e vendimeve të autoriteteve shqiptare për të caktuar datat e sakta se kur qytetarët e tjerë do të lejohen të qarkullojnë drejt Shqipërisë, megjithatë përmendet muaji qershor.

Ndërkohë që Shqipëria ka parë një ulje të rasteve me koronavirus, Kosova ka parë një rritje të rasteve të reja.

“Është shumë e rëndësishme që ta kuptojmë që duhet patjetër që shifrat të shkojnë drejt zeroz që njerëzit e Kosovës të mund të shkojnë drejt territorit të Shqipërisë si dhe ata të Shqipërisë drejt Kosovës. Deti aty është, aty do të jetë. Jam i bindur se Qershori më së largu mesi i Qershorit ose më vonë nëse jemi strikt ne do i afrohemi më shumë detit, në të kundërtën do t’i largohet”, u shpreh Ambasadori. Ka nisur edhe lejimi i qarkullimit të mallrave, por kryesisht ato që vijnë në Portin e Durrësit drejt Kosovës.”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë