Kosova

Kosova dhe Serbia ‘të mos ndërpresin komunikimin’

Në samitin e Bërdo-Brionit, të mbajtur në Shkup, Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos ndërpresin komunikimin teksa samiti u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Në një konferencë për media presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç, u pyet nëse është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve të hapura për shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo plotësimi i kritereve për anëtarësim. Ai tha se të dyja janë të rëndësishme.

“Ekzistojnë çështje të hapura, veçanërisht mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Këto janë dy procese që zhvillohen paralelisht dhe në të njëjtën kohë dhe dua të ritheksoj se mendoj që bisedimet kanë vlerë dhe më e keqja ndodh kur ndërpriten linjat telefonike, ajo është vdekje, vdekje për dialogun, për komunikimin për mirëkuptimin e ndërsjellë, por edhe për keqkuptimin, kur ndodh diçka e tillë. Një nga momentet më të rëndësishme në kohën e fundit ka të bëjë me identitetin dhe vetë respektin e vendeve të këtij rajoni, kjo është kur Ukraina mori statusin e kandidatit para Bosnje e Hercegovinës, kjo ishte e pashpjegueshme, por ja që ndodhi”, tha Millanoviç.

Në takimin e Bërdo-Brionit morën pjesë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani; presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj; presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç; presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar; presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviç; anëtarët e presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zhelko Komshiç, Denis Beqiroviç dhe Zhelka Cvijanoviç, dhe presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviç.

Presidentja Osmani e cilësoi si një prej takimeve “më konstruktive të procesit të Bërdo-Brionit që e kemi pasur ndonjëherë”, duke theksuar se kryefjalë e samitit ishte integrimi evropian.

“Çështjet bilaterale që i kemi me Serbinë, diskutohen në forume të tjera”, tha Osmani kur u pyet nëse është diskutuar për raportet Prishtinë-Beograd.

Ajo sërish fajësoi Serbinë se ka nxitur tensionet në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe, teksa shtoi se masat që ka vendosur BE-ja ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave për shtensionim, duhet të hiqen. Kroacia, sipas saj, është një prej shteteve anëtare të bllokut, që duhet të jetë ndër të parat që kërkojë diçka të tillë.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, e cilësoi takimin në Shkup si “korrekt dhe të mirë” dhe theksoi se aty nuk u fol për raportin e shtetit të tij me Kosovën.

“Prishtina dhe ne i lamë problemet tona për të enjten [takimi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi që do të mbahet në Bruksel], kështu që sot u fol më shumë për raportet e vetë rajonit të Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së sesa për çdo gjë tjetër”, tha Vuçiç, duke shtuar se në takimin e liderëve u diskutua për mundësitë ekonomike dhe për tejkalimin e problemeve në të ardhmen.

Në anën tjetër, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski, gjatë konferencës për media me Millanoviçin dhe presidenten sllovene, Natasha Pirc, tha se në raport me aspirata e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ekziston një disbalancë e madhe ndërmjet kritereve tradicionale për hyrje në bllok dhe marrëdhënieve bilaterale me së paku dy fqinjët e Shkupit.

“Shpresojmë se kjo do të ndryshojë së shpejti, sepse nëse në Ballkanin Perëndimor insistoni që mosmarrëveshjet thjesht bilaterale të zgjidhen, veçanërisht nëse ato bazohen në histori dhe emocione, atëherë asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian”, u përgjigj ai në pyetjen se a është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve politike mes shteteve që synojnë anëtarësimin në bllok apo plotësimi i kritereve që kërkohen nga Brukseli.

Presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc, theksoi se e ardhmja e të rinjve mbetet në fokus të zhvillimeve të vendeve të rajonit. Ajo shtoi se pas samitit të Bërdo-Brionit do të iniciohen hapa konkretë, sikurse përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj katastrofave natyrore.

“Kemi identifikuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në roamingun e Evropës, si dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmin e Bashkimit Evropian për përgjigje ndaj katastrofave natyrore”, tha ajo./REL


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë