Kosova

Kosova dhe Serbia rinisin dialogun në Bruksel

Serbia dhe Kosova do të takohen pas më shumë se një muaji pauzë, në një takim të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Qeveria e Kosovës ka konfirmuar se të enjten do të ketë një takim në nivel ekspertësh në Bruksel.

“Temë e diskutimit do të jetë zgjidhja e pretendimeve financiare dhe e çështjeve të pronës midis dy vendeve. Me ndërmjetësimin e të dergjurat special Mirosllav Lajçak, në takimin e nesërm, delegacionet do të vazhdojnë diskutimin e filluar në takimin e kaluar rreth kësaj çështjeje”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.

Në dialogun në nivel ekspertësh, Kosova përfaqësohet nga koordinatori shtetëror për dialogun, Skënder Hyseni, ndërkaq Serbia nga Marko Gjuric.

Takimi i së enjtes, që do të mbahet me ftesë të të dërguarit të Lajçak dhe vjen mes disktutimeve të ashpra për formimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Ky takim, që fillimisht ishte parashikuar të zhvillohej në fund të muajt shtator, ishte shtyrë për shkak të masave parandaluese kundër pandemisë së koronavirusit si dhe për shkak të pengesave të paraqitura rreth temave që do të diskutohen në dialog, për të cilat palët nuk ishin dakord.

Tema e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, është parë si pengesë për zhvillimin e raundeve të reja të negociatave, qoftë në nivel ekspertësh qoftë në takime të nivelit të lartë.

Serbia insiston që kjo temë të jetë prioritet në bisedime, por Kosova refuzon të bisedojë për këtë çështje.

Raundi i fundit i bisedimeve në nivel të lartë, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçic është zhvilluar më 7 shtator, me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian duket se ka rikthyer në tavolinën e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë, Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, duke i kërkuar Prishtinës të nisë punën për implementimi e saj.

Duke theksuar se nuk është libër i shenjtë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar se fundmi se Kosova duhet të ndryshojë kushtetutën për themelimi e këtij asociacioni.

Në përfundim të vizitës së tij në Prishtinë në 16 tetor, ai tha se ky asociacion është obligim që Kosova e ka ndërmarrë me marrëveshjen e vitit 2013. Lajçak u shpreh i bindur se zbatimi i marrëveshjes për Asociacionit Komunave me shumicë serbe duhet të bëhet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë.
Sipas tij, para se të ndodhë kjo, institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e Asociacionit.
“Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes”, deklaroi Lajçak. “Kosova ka premtuar përkushtimin e saj, Kosova e ka nënshkruar marrëveshjen, parlamenti i Kosovës e ka ratifikuar atë, kështu që Kosova duhet ta zbatojë këtë marrëveshje, e cila është pjesë e procesit, është pjesë e negociatave”, tha ai.

Por këto deklarata nuk janë mirëpritur në Prishtinë, pasi Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave serbe.

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka deklaruar së fundmi se themelimi i asociacionit do t’i jepte serbëve një zë të fuqishëm në zhvillimet e fundit në Kosovë. “Tani do t’ju jap një akt, për të cilin flitet pak dhe, deri më tani, askush nuk e ka parë në opinionin serb. Ky është një plan për të zbatuar marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës, e cila përbëhet nga gjashtë elemente. Pika e parë, rregullimi i kuadrit ligjor, pika dy , Asociacioni, pika tre, policia, pika katër, gjyqësori, pika pesë, zgjedhjet lokale, pika gjashtë, dispozitat e përgjithshme”, tha ai duke vënë theksin tek ndryshimet kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë