Kosova

Kos kërkon kompromis politik në Kosovë pas zgjedhjeve

Nga Gazeta ‘Si’- Komisionerja për Zgjerim e Bashkimit Europian, Marta Kos, uroi kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit në Kosovë, duke theksuar njëkohësisht nevojën për bashkëpunim mes forcave politike.

“Që Kosova të ecë përpara në rrugën e saj drejt BE-së, forcat politike duhet tani të bashkohen dhe të gjejnë kompromis për të ndërtuar stabilitet institucional”, shkroi Kos në platformën X

Ajo shtoi se mezi pret të vizitojë Kosovën për të intensifikuar punën rreth integrimit europian dhe vazhdimin e mbështetjes përmes Planit të Rritjes së BE-së.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën me 7 qershor, me një pjesëmarrje prej rreth 35%.

Rezultatet paraprake të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, e nxorën partinë e Kurtit, Lëvizjen Vetëvendosje, të parën – me 42.91% të votave.

Pas saj renditen: Partia Demokratike e Kosovës me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.

Pas shpalljes së fitores, Kurti, njëherësh kryeministër në detyrë, e la të hapur mundësinë për bisedime dhe bashkëpunime me partitë e tjera.

Zgjedhjet e 7 qershorit u mbajtën pas dështimit të Kuvendit të Kosovës për të zgjedhur presidentin e ri – çfarë çoi automatikisht në shpërndarjen e institucionit ligjvënës.

Ato ishin zgjedhjet e treta brenda më pak se një viti e gjysmë, pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë zgjedhjesh të parakohshme më 28 dhjetor.

Zgjedhjet e para nuk arritën të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i siguruan Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave, nuk sollën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë