Ekonomi

Korriku dhe gushti rritën trafikun e turistëve me charter në Rinas, kryesojnë polakët

Sezoni turistik i këtij viti ka shënuar një dyndje të turistëve të huaj që kanë ardhur me charter, jo vetëm duke rikuperuar humbjet e pandemisë por edhe duke tejkaluar nivelet e parakrizës.

Krahas hyrjeve të shtetasve të rajonit të cilët nuk na braktisën edhe gjatë pandemisë, destinacionet e reja ishin risia e këtij sezoni.

Sipas të dhënave zyrtare nga TI A(Tirana International Airport), pasagjerët që kanë udhëtuar me charter  (pa përfshirë Turqinë dhe Egjiptin, ku udhëtojnë shtetas shqiptarë) për periudhën korrik-gusht 2021 ishin rreth 174 mijë (vajtje-ardhje), duke u rritur me 15% në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2019, i cili konsiderohet si viti më i mirë i turizmit.

Duke qenë se Shqipëria u deklarua këtë verë si një vend Covid-free nga ana e qeverisë, shumë turistë u nxitën ta vizitonin duke shmangur kufizimet që mund të hasnin në vende të tjera, sidomos në Europën Perëndimore.

Të parët që konfirmuan rinisjen e fluturimeve me charter ishin polakët nga data 25 maj të cilët përfaqësojnë edhe grupin më të madh të turistëve që kanë ardhur përmes ajrit.

Sipas të dhënave nga TIA për periudhën korrik-gusht, kanë fluturuar rreth 81 mijë pasagjerë me charter-a të nisura nga qytetet polake, pothuajse dyfishi krahasuar me të njëjtën periudhë të 2019-s.

Pas polakëve, grupi i dytë më i madh janë ukrainasit.

Në periudhën korrik- gusht nga Ukrania në Rinas dhe anasjelltas fluturuan 38.5 mijë pasagjerë, ose 65% më shumë se e njëjta periudhë e para pandemisë.

Në vend të tretë janë turistët nga Arabia Saudite, pas nisjeve të fluturimeve direkte Rinas-Riyadh.

"Për shkak se janë shtuar linjat direkte nga Arabia Saudite apo Emiratet e Bashkuara Arabe, kjo ka sjellë një prurje më të madhe të turistëve nga këto vende, të cilët kanë rezervuar shumë automjete me qira dhe ndryshe nga vitet e tjera kanë lënë pas turistët nga Çekia apo Izraeli”-tha për Gazetasi.al Enterprise Albania, kompani makinash me qira, disa ditë më parë.

Në fakt, edhe të dhënat nga TIA na tregojnë që në raport me 2019-n turistët nga Çekia ranë me 24% e po ashtu në të njëjtën rënie të ndjeshme janë edhe shtetasit nga Izraeli.

Në dyfishim ishin rusët, me rreth 7 mijë pasagjerë që fluturuan drejt dhe nga Rinasi.

Në ndryshim me vitin 2019, përveç çekëve dhe izraelitëve, nuk ka patur chartera nga Danimarka, Sllovenia dhe Suedia.

Vetëm në korrik, trafiku i pasagjerëve ishte 9.6% më i lartë se në të njëjtin muaj 2019 (+70% me 2020-n), ndërsa në gusht rritja ishte më e fortë në gati 32% (+82% me të njëjtin muaj të 2020-s).

Pavarësisht rritjes së ndjeshme të trafikut në korrik e gusht, për 8-mujorin tendenca mbetet në rënie për shkak të ecurisë së dobët për periudhën janar-qershor. Sipas të dhënave të tjera të INSTAT për 6-mujorin e parë, hyrje-daljet e shtetasve të huaj përmes ajrit ranë me 46% në krahasim me të njëjtën periudhë të 2019-s.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë