Me anë të një vendimi Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha Gjykatat e vendit. Shkak për këtë vendim është bërë rreziku i përhapjes së koronavirusit.
“Pezullimin e veprimtarisë dhe shërbimeve gjyqësore në të gjitha gjykatat e vendit, të juridiksionit të përgjithshëm dhe të posaçëm, për shkak të situatës së krijuar dhe infeksioni i përhapur Covid-19”, shprehet në pikën e parë të vendimit.
Megjithatë, KLGJ ka vendosur që të përjashtohet nga efektet e pezullimit veprimtaria dhe shërbimet gjyqësore, që lidhen me çështje të “natyrës së ngutshme, të vlerësuara si të tilla rast pas rasti nga gjyqtari”.
Gjithashtu, përjashtohen nga efektet e pezullimit, “seancat e vlerësimit të masave të sigurisë, seancat në të cilat janë kërkuar ose zbatuar masat e sigurisë me burg, dhe kur të arrestuarit, i pandehuri ose mbrojtësit e tyre e kërkojnë shprehimisht që të vijohet me shqyrtimin e tyre”. Kohëzgjatja e këtij vendimi do të jetë për një periudhë dy javore, thotë KLGJ. Kohëzgjatja e pezullimit sipas këtij vendimi të firmosur nga kryetarja e KLGJ-së, Naureda Llagami është dy javë, pra deri më 24 mars.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




