Kosova vendos 10 mln euro kundër koronavirusit, Franca mbylli shkollat, Kryeministri kanadez u vetëngujua, Britania prezantoi një sjellje krejt të kundërt nga vendet e tjera dhe Nju Jorku shpalli gjendjen e jashtëzakonshme. Koronavirusi po trazon gjithnjë e më shumë botën.
Mediat në Kosovë raportuan se Qeveria vendase ka vënë në dispozicion një fond prej 10 milionë eurosh për përballimin e pasojave ekonomike dhe sociale që mund të shkaktojë përhapja e koronavirusit në vend.
Por jo vetëm Kosova. Presidenti francez, Emmanuel Macron tha se që prej ditës së hënë, të gjitha çerdhet, shkollat, gjimnazet dhe universitetet do të mbyllen deri në një vendim të dytë.
Megjithatë, Macron rrëzoi të gjitha pretendimet se zgjedhjet vendore që nisin më 15 mars dhe mbyllen më 22 mars mund të shtyhen. Ai tha se zgjedhjet do të zhvillohen sipas planit.
Ndërkohë, në Kanada, Kryeministri Justin Trudeau njoftoi se do të vetëngujohet për një periudhë dyjavore, pasi dyshimeve se bashkëshortja e tij mund të jetë infektuar me koronavirus. Autoritetet nuk japin hollësi se kur dhe si u infektua bashkëshortja e kreut të Qeverisë kanadeze. Veç kësaj, Trudeau njoftoi vendosjen e një fondi prej 1.3 miliard dollarësh për përballimin e situatës.
Kundër rrymës po shkon Britania e Madhe. Kryeministri Boris Johnson tha se “shumë familjarë do të humbasin para kohe njerëz të dashur” si pasojë e koronavirusit, por i qëndroi vendimit për të mos mbyllur shkollat dhe për të mos paralizuar jetën ekonomike, sociale, kulturore e sportive të vendit duke mos kufizuar tubimet. Qeveria britanike njoftoi gjithashtu edhe reduktimin e testeve për koronavirusin. Testet do të kryhen vetëm nëpër spitale, pra duke mos iu marrë tamponë personave nëpër shtëpi.
Në SHBA janë pezulluar të gjitha aktivitetet kryesore sportive, përfshirë edhe NBA, ndërsa kryebashkiaku i Nju Jorkut, Bill de Blasio shpalli gjendjen e emergjencës. Në Kaliforni tubimet me më shumë se 250 persona janë të ndaluara, ndërsa administrata “Trump” akuzohet se nuk po bën mjaftueshëm dhe nuk po e merr seriozisht pandeminë. Vetë Presidenti amerikan njoftoi më herët ndalimin e të gjitha fluturimeve nga Europa, ndërsa Shtëpia e Bardhë mbylli dyert pa afat për publikun.
Sllovenia deklaroi gjendjen e epidemisë. Mbi 100 persona kanë rezultuar pozitivë me koronavirus, shkollat do të mbyllen që prej të hënës, aktivitetet sportive janë anuluar gjithashtu dhe stafeve mjekësore u është ndaluar marrja e lejeve të zakonshme.
Në Holandë, Qeveria vendosi ndalimin e tubimeve me më shumë se 100 persona, kolegjeve dhe universiteteve iu urdhërua mësimi online, por shkollat e mesme dhe fillore mbeten të hapura, njerëzit me imunitet të dobët dhe të moshuarve iu kërkua që të qëndrojnë në shtëpi, ndërsa personave me dyshime se janë prekur nga virusi iu kërkua që të vetëngujohen.
Në bursa i reflektua paniku i përgjithshëm global mbi pandeminë që ka shpërthyer. Të gjitha tregjet regjistruan rënie, ku rekordin e mban bursa e Londrës me 10 për qind humbje, më e forta që prej vitit 1987-të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




