Ngjarje

Koronavirusi- Në Itali hidhet ideja për ndeshje me dyer të mbyllura

Është e vështirë të gjenden data të lira për rikuperimin e ndeshjeve të shtyra në kampionatin italian, për shkak të rrezikut të koronavirusit. Në veri të Italisë janë shfaqur rastet e para të personave të infektuar nga virusi vdekjeprurës dhe dy prej tyre kanë ndërruar jetë. Një situatë që ka alarmuar vendin fqinj, ndërkohë që jeta sportive po shkon drejt paralizimit. Jo vetëm futbolli, edhe skitë, noti, regbi dhe sporte të tjera kanë pezulluar çdo aktivitet.

Në këtë moment, drejtuesit e futbollit italian po shohin seriozisht hipotezën e zhvillimit të ndeshjeve me dyer të mbyllura për të mos i shtyrë ato. Nuk është thjesht një hipotezë, por diçka më konkrete. Më në vështirësi është Interi, që e ka të pamundur ta shtyjë ndeshjen e kthimit në Ligën e Europës ndaj bullgarëve të Ludogorets.

Stadium i boshatisur. Foto ilustruese. Gazeta Si, 23 shkurt 2020

Të paktën në zonat e rrezikut nga koronavirusi nuk ka zgjidhje tjetër, përveçse t’i zhvillojnë ndeshjet pa tifozë. Kalendari i Serisë A deri në fund të sezonit është shumë i ngjeshur dhe mundësia e shtyrjes së ndeshjeve duket e pamundur. Interi, për shembull, nëse vazhdon të luajë edhe në Kupën e Italisë dhe në Ligën e Europës, datën e parë të lirë për të luajtur ndeshjen e shtyrë me Sampdorian, ka 20 majin. Bëhet fjalë për të mërkurën para javës së fundit të kampionatit.

Kjo do të thotë se shtyrja e ndeshjeve të tjera do ta komplikonte shumë zhvillimin e rregullt të kampionatit. Ndeshje pa tifozë mund të jetë edhe sfida e madhe e 1 marsit në Torino mes Juventusit dhe Interit. Rikthimi i Antonio Kontes në “Stadium” mund të jetë pa tifozë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë