Ngjarje

Dy rastet e para me koronavirus në Shqipëri, babë e bir nga Tirana. Djali erdhi nga Firence

Ministria e Shëndetësisë konfirmoi dy rastet e para me të prekur nga koronavirusi i ri. Bëhet fjalë për dy persona at e bir të cilët janë kthyer në Shqipëri nga Italia.

“Gjendja e dy të prekurve, babë e bir që kanë udhëtuar nga Firence në Tiranë është e stabilizuar dhe nuk paraqesin komplikacione”, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Strukturat e urgjencës kombëtare dhe ISHP, vijon njoftimi, janë duke ndjekur protokollin klinik dhe epidemiologjik për të dy rastet.
Mësohet se djali erdhi nga Firence në datën 26 shkurt dhe ka infektuar edhe babain. Ata po mbahen në urgjencën e Infektivit në QSUT.

Ministria e Shëndetësisë përsërit thirrjen për qytetarët që kanë udhëtuar nga vende të prekura dhe ndjejnë simptoma të ngjashme me gripin, të telefonojnë në nr.127, ku thotë se mjekët do t’i përgjigjen çdo rasti.

Dje Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale ishte shprehur se nuk kishte ende asnjë rast të infektuar me koronavirusin Covid-19 në vendin tonë. Në njoftimin e përditshëm të task-forcës Covid-19, thuhej se janë testuar në total 59 raste të dyshuara me virusin, për shkak se kanë pasur shenja te infeksionit respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka nisur shpërthimi i koronavirusit të ri.
Të dhënat nga Ministria tregojnë se rastet e testuar i përkasin kryesisht qytetit të Tiranës, Shkodrës, Durrës, Fierit, Lezhës dhe Vlorës. Ndër të tjera bëhet me dije se ISHP ka kapacitetet laboratorike për të kryer diagnozën e plotë të COVID-19. Gjithashtu, konfirmohet se në 24 orët e fundit në vendin tonë kanë hyrë 23.035 udhëtarë në të gjitha pikat kufitare dhe ka pasur 1391 thirrje, nga të cilat 29 prej tyre janë vlerësuar në lidhje me infeksione virale respiratore dhe histori udhëtimi me Italinë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë