Ekonomi

Koronavirusi fut në krizë aksionet europiane

Aksionet europiane nuk kanë pasur një ditë kaq të keqe që prej tre vitesh teksa shqetësimet për impaktin ekonomik të koronavirusit kanë goditur sektorin e udhëtimeve, apo të produkteve të luksit.

Indeksi Stoxx Europe 600 ka rënë me 3.7%, rënia më e madhe kjo që prej qershorit 2016. Sektorët që kanë ndikuar më së shumti në këtë rënie janë udhëtimi, industria minerare dhe ajo e makinave. Ndërsa volatiliteti i indeksit të Euro Stoxx 50 është rritur me 47% më e madhja kjo që prej kohës të ashtu quajtur “Volmageddon” në shkurt të 2018-s (kujtojmë se gjatë kësaj kohe ajo çka ndodhi ishte një rritje e papritur në volatilitetin e S&P 500 dhe shitje në masë e aksioneve).

Kompanitë e produkteve të luksit kanë pësuar rënie drastike nga frika e investitorëve se koronavirusi do të godasë shitjet e tyre. Ndër këto rënie drastike në çmimet e aksioneve vihet re LVMH Moet Hennessy Louis Vuitton SE e cila ka rënë me 7.2% dhe Roche Holding AG  me 2.9%. Aksionet në industrinë ajrore kanë pasur gjithashtu një ditë shumë të keqe sot. Indeksi “Stoxx 600 Travel and Leisure” kanë pasur rënien më të madhe që prej qershorit të 2016-s me Air-France KLM që ka rënë me 10%, EasyJet me 13% dhe Ryanair me 11%.

“Ne besojmë se virusi i koronavirusit do të zvogëlojë ndjeshëm blerjet në dyqanet në Kinë, do të ndikojë ndjeshëm negativisht në turizmin Kinez si dhe do të pengojë masivisht në zinxhirin e prodhimit e furnizimit brenda Kinës e jo vetëm”, shprehet Oliver Chen një analist i ekonomisë të biznesit për Cowen & Co në një raport të hënën.   

Menaxherët e fondeve të investimeve janë duke shitur aksione e po shohin për vende të sigurta investimi pas rritjes alarmante të rasteve te konfirmuara me koronavirus në Korenë e Jugut dhe situatës po kështu problematike në Itali. Aksionet europiane javën e kaluar arritën një rekord çmimesh gjë që po shqetëson investitorët në lidhje me mënyrën e vlerësimeve të kompanive si dhe po rrit ankthin në lidhje me pozicionet e investimeve që ato kanë marrë.

“Tregjet janë në gjëndje paniku nga rreziku i përhapjes botërore të koronavirusit si dhe numrit në rritje të infektuarëve jashtë Kinës”, ka thënë Ulrich Urbahn, drejtuesi i firmës së konsultimeve për investimet e askioneve dhe menaxhimit të pasurisë në Joh Berenberg Gossler & Co, i cili së fundmi ka reduktuar ekspozimin e portofolit të tij në aksionet dhe instrumentat financiare Europiane.

Impakti i vështirësisë e ngadalësimit ekonomik i Kinës si rrjedhojë problemeve në shitje, furnizim, prodhim etj është bërë një shqetësim kryesor për menaxherët e fondeve. Aksionet europiane janë shumë të ndjeshme, ku sipas Goldman Sachs ekspozimi i indeksit Euro Stoxx 50 në tregun kinez është dyfishi i atij të S&P500.

Indeksi i FTSE MIB ka rënë me 4.8% më e madhja që prej qershorit të 2016. E kjo rënie ka ndodhur veçanërisht pas urdhrit të qeverive lokale në Milano e zona të tjera të italisë për të bllokuar aktivitetet e ndryshme (përfshirë këtu bizneset, shkollat dhe karnavalet). Disa prej bankave dhe firmave të produkteve të luksit në itali janë dëmtuar rëndshëm nga këto masa të koronavirusit. Disa firma që janë ndikuar nga këto masa janë Salvatore Ferragamo SpA e cila ka rënë me 9.5%       dhe Juventus Football Club SpA me 11%.

Shefi i strategjisë për investime në Goldman Sachs, Peter Oppeneheimer ka thënë javën e kaluar se një rënie prej 1% në shitjet e GDP-së botërore do t’i reduktojë të ardhurat e kompanive Europiane me rreth 10%, duke i kthyer shumë prejt tyre në negative.

Ndërkohë në tregun e kontratave me afat, kontratat e të ardhmes amerikane po sinjalizojnë që shitja masive e aksioneve mund të përhapet edhe në aksionet e tregut të ShBA-së. Kontratat e të ardhmes të “S&P e-mini futures” kanë rënë me 2.6%  dhe kontratat e të ardhmes të “NASDAQ 100 e-mini futures”  ranë me 3.1%.  Burimi: Bloomberg


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë