Ngjarje

Koronavirusi, 21 të vdekur në Itali. OBSH rrit alarmin: Rreziku, shumë i lartë

Rritet bilanci i të vdekurve nga koronavirusi në Itali. Numri i të vdekurve ka shkuar në 21 dhe atyre të prekur në 821. Lajmin e ka bërë të ditur gjatë një konference për shtyp Angelo Borrelli, komisioneri për Mbrojtjen Civile në Itali.
Ndërkohë, janë 345 persona që po kurohen në spital, ndërsa 422 të tjerë janë duke u kuruar në shtëpi, 64 prej të prekurve janë në terapi intensive. Nga ana tjetër, deri më tani ekzistojnë 151 raste me koronavirus në Veneto, sipas përditësimit më të fundit të lëshuar nga ky rajon. Shpërthimi më i madh me të prekur mbetet ai i Vo ‘Euganeo, me 70 raste, i ndjekur nga Treviso me 23, pastaj Venecia me 10, Limena me 9, Milano me 5 dhe Vicenza me 3.
Organizata Botërore e Shëndetësisë këtë të premte është shprehur se rreziku ndaj koronavirusit është ngritur nga “i lartë” në “shumë i lartë”. Ky vlerësim është bërë pas rasteve të shumta që janë prekur nga ky virus në të gjithë botën dhe shpejtësinë me të cilën po përhapet koronavirusi. Momentalisht ka mbi 83 000 persona të prekur dhe mbi 2800 vdekje. “Nuk kemi akoma të dhëna që virusi po përhapet lirshëm me popullatave” – tha kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u shpreh se “kjo është koha për t’i kërkuar qeverive të bëjnë gjithçka që është e mundur për të ndaluar transmetimin koronavirusit, dhe për ta bërë atë tani”.
“Ne nuk jemi ende në një pandemi, por dritarja e mundësisë për të shmangur atë po ngushtohet. Shqetësimi im ka të bëjë kryesisht me vendet në zhvillim, veçanërisht në Afrikë,” shtoi Guterres.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë