Lojra me Dore

Koretë bashkohen edhe në ping-pong! Organizatorët habiten, por e miratojnë

Misioni i sportit është përçimi i mesazheve të paqes dhe të bashkimit dhe këtë po e arrin më së miri në Gadishullin Korean.

Koreja e Jugut dhe ajo e Veriut u bashkuan në një skuadër në lojërat olimpike dimërore, duke i pagëzuar këto lojëra me emrin “Olimpiket e Paqes”.

Por, afrimi mes dy vendeve nuk është ndalur me kaq. Edhe ekipet e ping-pongut “u shkrinë” në një të vetëm nën frymën e çtensionimit dhe përmirësimit të marrëdhënieve të një populli të ndarë më dysh prej dekadash.

Dy ekipet e femrave të dy vendeve që teknikisht janë ende në luftë me njëri-tjetrin, duhej të sfidonin njëri-tjetrin në çerekfinalet e botërorit të ping-pongut që po zhvillohet në Halmstad të Suedisë.

Por, në vend të kësaj, dy skuadrat vendosën që të shtrëngojnë duart me njëra-tjetrën dhe të formojnë një ekip të vetëm.

E pabesueshme dhe ndoshta për herë të parë në histori, edhe vetë organizatorët e turneut pranuan që dy ekipet të shkrihen në një të vetëm dhe të vazhdojnë garën si një komb.

“Kur informova bordin e drejtorëve për këtë zhvillim të papritur, skuadra e bashkuar mori duartrokitjet dhe brohoritjet e delegatëve që e miratuan këtë”, deklaroi Presidenti i Federatës Ndërkombëtare të Ping-Pongut, Thomas Weikert.

Tani, dy skuadrat e kualifikuara të kualifikuara si një e vetme presin të takohen në gjysmëfinale me njërën mes Japonisë dhe Ukrainës të premten.

Kjo nuk është hera e parë që dy Koretë shkrihen në një event sportiv ndërkombëtar. Në shkurt, një ekip hokei i unifikuar mori pjesë në lojërat olimpike të Pyeongchang-ut.

Marrëdhëniet mes dy Koreve janë në nivelin e tyre më të lartë prej dekadash. Javën e shkuar, Kim Jong-un zbriti për herë të parë në jug ku u takua me Presidentin koreano-jugor, Moon Jae-in. Të dy u zotuan për nënshkrimin e një marrëveshjeje që do t’i jepte fund gjendjes teknike të luftës që zgjat prej dekadash, si dhe angazhimin për një Gadishull Korean pa armë bërthamore.

 

Më Shumë