Ekonomi

Kontrolli i naftës, Konfindustria: U shty puna e përditshme e Qeverisë

Në fund të muajit korrik, Qeveria njoftoi një plan operacional për muajin gusht, i përqëndruar në sektorin e hidrokarbureve, ku veç kontrollit për kuponët tatimore, do të kontrollohej edhe cilësia e karburanteve.

“Duhet të shkojmë te të gjithë dhe për këtë, Plani Operacional i gushtit është totalisht i fokusuar në këtë sektor, për të siguruar dhe cilësinë e karburantit që tregtohet në treg dhe realizimin e të ardhurave në mënyrë proporcionale me atë që duhet të ndodhë në realitet dhe jo në atë që faktikisht ndodh sot”, deklaronte ministrja e Financës dhe Ekonomisë, Anila Denaj.

Gushti është drejt fundit të tij dhe aksioni për kontrollin e cilësisë, sipas “Konfindustrisë” nuk është ndërmarrë ende, duke u lënë për në shtator. Kjo shtyrje, sipas “Konfindustria Shqiptare” jo vetëm që dëmton qytetarët, por edhe vetë aksioni antiinformalitet të Qeverisë.

“Konfindustria vlerëson, se deklarimet e ditëve të fundit nga ana e përfaqësuesve të lartë të ekzekutivit dhe agjencive shtetërore përgjegjëse për shtyrjen në kohë të kontrollit të cilësisë së karburante në qarkullim në treg për muajin shtator 2019, janë të papranueshme, jo profesionale dhe dëmtojnë drejtpërdrejt edhe nismën për luftën kundër informalitetit në ekonomi të ndërmarrë së fundmi nga qeveria shqiptare”, thuhet në deklaratë.

“Konfindustria” thotë se kontrolli i cilësisë është detyrë e përditshme ligjore e autoriteteve përkatëse dhe çdo shtyrje dhe ndërmarrja e një aksioni si fushatë, rrezikon të prodhojë efekte të kundërta.

“Sikurse ka ndodhur edhe në “aksionet” e ngjashme qeveritare të para 2,3 vjetësh. Në rastin më normal mund të përfundojë në goditje të konkurrencës në treg, ose deri në korrupsion dhe subjektivizëm, pa asnje përfitim për qytetarët, bizneset, buxhetin e shtetit dhe ekonominë kombëtare”, vijon deklarata.

“Konfindustria” thekson se abuzimet me cilësinë e karburanteve përbëjnë dhe dëmin kryesor financiar, që i shkaktohet buxhetit të shtetit, bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë