Futboll

Kontratë 3-vjeçare me mbrojtësin shqiptar, Lacio nuk u ndahet kuqezinjve

Klubi i Lacios në Itali po bëhet gjithmonë e më shqiptar. Igli Tare, një nga drejtorët sportivë më të suksesshëm në Serinë A, duket se po shërben si magnet për të shtuar radhët e shqiptarëve te klubi bardhekaltër. Me këtë ekip sapo ka firmosur kontratë trevjeçare mbrojtësi me origjinë nga Bajza, Serxho Kalaj. Ai ka lindur në Itali, por luan me Kombëtaren U-21 të Shqipërisë. Paraqitja me të rinjtë e Lacios i ka bindur drejtuesit e këtij ekipi për t’i ofruar kontratë profesionisti Kalajt, i cili luan në qendër të mbrojtjes.

Igli Tare dhe Serxho Kalaj

Një hap shumë i rëndësishëm ky për karrierën e mbrojtësit 19-vjeçar shqiptar. Një mundësi e artë për t’u rritur profesionalisht, edhe pse pritet që fillimisht Lacio ta huazojë në ndonjë ekip tjetër Kalajn, në mënyrë që ai të ketë mundësi të luajë rregullisht. Interesant është fakti që Serxho Kalaj ka qenë më parë pjesë e 17-vjeçarëve të Romës, të cilën e ka “tradhtuar” për ekipin e shqiptarëve.

Serxho Kalaj, duke luajtur me të rinjtë e Lacios

Përveç Igli Tares në rolin e drejtuesit, te Lacio bën pjesë aktualisht edhe portieri i kuqezinjve, Tomas Strakosha. Valon Berisha dhe Riza Durmishi janë dy shqiptarë të tjerë të Lacios, por i pari luan për Kosovën dhe i dyti për Danimarkën. Më parë kanë veshur fanellën e Lacios edhe ish-kapiteni i kuqezinjve, Lorik Cana, si dhe portieri Etrit Berisha, që sapo ka firmosur për Spalin. Lacio mbetet një klub i dashuruar pas shqiptarëve dhe ndikimi i Igli Tares është i padiskutueshëm. Ai është gjithmonë i angazhuar për t’u dhënë një shans shqiptarëve të talentuar të tregojnë vlerat me fanellën e Lacios. Me kalimin e kohës, Kalaj pritet të jetë gati edhe për Kombëtaren A.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë