Irena Beqiraj

Kontestimi i zgjedhjeve, si ka mundësi edhe në Amerikë?


Më shumë se rezultati i zgjedhjeve në Sh.B.A,  më impresionojnë reagimet në rrjetet sociale. Disa me tone tallëse shprehen që amerikanët paskan mësuar nga shqiptarët, ndërsa disa klerikë politikë nënqeshin duke pohuar që kontestimi është normë që duhet pranuar. E pra e shikoni kjo ndodh edhe në Amerikë?

Kontestimi i zgjedhjeve nuk është fenomen i ri në Amerikë.

Autorët e një studimi të udhëhequr nga shkencëtarët politikë, Jack Edelson të Universitetit të Wisconsin-Madison dhe Joseph Uscinski të Universitetit të Miamit, tregojnë që pas humbjes së republikanit Mitt Romney në zgjedhjet presidenciale të vitit 2012 në SHBA, 49% e republikanëve besonin se një grup aktivist demokrat kishte vjedhur zgjedhjet për presidentin Barack Obama.  Po kështu, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2000, 31% e demokratëve besuan se George W. Bush kishte vjedhur presidencën. Kështu që 31% e demokratëve deklaruan se nuk e konsideronin Bush-in një “president legjitim”.

Paranojat kanë qenë të ndryshme. Republikanët në SH.B.A janë veçanërisht të prirë të besojnë se ka më shumë vota seç duhet të kishte, ndërsa demokratët janë më të shqetësuar për heqjen e të drejtës së votimit.

Autorët po ashtu citojnë se nga studimi i  letrave të drejtuara redaksisë editoriale të New York Times nga  viti 1890 deri në 2010, vihet re se humbësit e pakënaqur vënë në pikëpyetje pothuajse çdo zgjedhje presidenciale në SHBA.

Në vitin 2005 në vigjilje të daljes së rezultateve të zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri, kujtoj një ish-kandidat për deputet, i cili kishte humbur në zonën nr 7 karshi kandidatit demokrat, Lulzim Basha. I përlotur, duke u dridhur, ky burrë i pakujdesur për pamjen e tij të jashtme (e cila nuk çedon kurrë) deklaronte se aty zgjedhjet ishin vjedhur.

E çuditur edhe e paditur pyesja: si ka mundësi që  humbja në zgjedhje e bën edhe burrin të qajë me lot krokodili?

Duke lexuar kuptova që sa më narcizistë kandidatët, aq më shumë janë të bindur për epërsinë e tyre dhe kështu e kanë të pamundur të pranojnë humbjen. Humbja është  kërcënimi më katastrofik për egon e tyre. Në vlerësimin  e tyre, askush nuk mund t’i mundë drejtësisht. Akuzat për mashtrime e vjedhje votash në këtë kontekst janë qetësuesi i përsosur psikologjik, në mbrojtje të egos nga kërcënimi që sjell humbja. Mësova me kohën që humbja është rezultati më shqetësues emocional, i cili shoqërohet nga mohimi. Psikologët tregojnë që kur narcizmi, shqetësimi emocional dhe mohimi kombinohen, bëhen bindëse.

E pra, psikologjia e humbjes dhe mjetet e mohimit të saj, nuk kanë lidhje me nacionalitetin shqiptar, amerikan apo italian, por me karakteristikat e individëve, të cilët janë duke konkurruar.

Psikologët shpjegojnë që ekziston një lidhje e fortë midis ndjenjave të pafuqisë dhe paranojës së konspiracionit. Mbështetësit e humbësit në zgjedhje kanë më shumë gjasa të dyshojnë për mashtrime. Besimi se shkaku i humbjes është padrejtësia, bëhet më i fortë kur rezultati është i ngushtë, dhe kur aftësia e publikut për të qenë racional është e dobët duke u bërë pre e lotëve të krokodilit.

Humbësi që ankohet, nuk ka për të qenë kurrë fitues!


Copyright © Gazeta “Si”