Ekonomi

Konsumatorët pesimistë, politika po mbyt ekonominë dhe biznesin

Agonia e gjatë e luftës politike në vend po dëmton më së shumti ekonominë, biznesin dhe konsumatorin shqiptar.

Kjo është reflektuar dhe në anketimet që janë bërë nga Banka Qendrore për të vrojtuar besimin tek ekonomia e vendit.

Banka e Shqipërisë ka raportuar se Treguesi i ndjesisë ekonomike (TNE) ka rënë me 0.7 pikë gjatë tremujorit të dytë të vitit 2019. Por sipas BSH-së, edhe pse niveli i TNE-së, në vlerën 105.8, vijon të mbetet mbi mesataren e tij afatgjatë duke shpjeguar e kjo rënie ka pasqyruar rënien e besimit në sektorët e industrisë, ndërtimit, tregtisë dhe besimit konsumator.

Treguesi i besimit konsumator (TBK) ka rënë me 2.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë duke frenuar rritjen në të dy tremujorët e mëparshëm.

Rënia e besimit konsumator ka ardhur si pasojë e gjykimit të situatës së përgjithshme ekonomike të pritur në vend me 4.6 pikë përqindje, situatës financiare të pritur të familjeve me 3.6 pikë përqindje dhe situatës së të ardhurave dhe shpenzimeve me 1.0 pikë përqindje. Kurse treguesi i blerjeve të mëdha ka qëndruar pothuajse në vlerën e shënuar një tremujor më parë (+0.1 pikë përqindje).

Vrojtimi i Biznesit dhe Konsumatorit për tremujorin e dytë të 2019-ës i analizuar pas anketimit nga Banka e Shqipërisë tregon se besimi në këtë periudhë ka rënë kryesisht në sektorin e industrisë (TBI) me 2.3 pikë e shkaktuar nga rënia e prodhimit, kontratave porositëse.

Trend rënës kanë shfaqur edhe gjendja financiare, kontratat porositëse nga eksportet dhe pritjet për ecurinë e punësimit në tremujorin e ardhshëm.

Për sa i takon ecurisë së prodhimit në tremujorin e ardhshëm, bizneset e sektorit të industrisë presin përmirësim të tij. Ndërkohë, norma e shfrytëzimit të kapaciteteve rezultoi rreth 0.3 pikë përqindje më e ulët se një tremujor më parë.

Edhe treguesi i besimit në sektorin e ndërtimit (TBN) shënoi rënie me 1.1 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë, por vijon të mbetet mbi mesataren historike të tij.
Edhe treguesi i besimit në sektorin e tregtisë (TBT) shënoi rënie me 1.3 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë.

Ai që ka shënuar rritrje është treguesi i besimit në sektorin e shërbimeve (TBSH) me 2.8 pikë përqindje gjatë tremujorit të dytë dhe mbetet mbi mesataren historike të tij. Përmirësimi i TBSH-së pasqyroi rritjen e ecurisë së biznesit dhe kërkesës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë