Ekonomi

Konsumatorët optimistë për ekonominë, por bizneset jo. Ndërtuesit presin rënie çmimesh dhe kërkese

Nga Gazeta ‘SI’ - Optimizmi për situatën ekonomike në Shqipëri u rrit gjatë janarit 2022, ndikuar nga konsumatorët dhe shërbimet, por pjesa më e madhe e bizneseve nuk presin zhvillime pozitive.

Bizneset ndërtuese kanë rënien më të madhe të besimit në ekonomi për të njëjtën periudhë, pasi presin rënie të aktivitetit, kërkesës dhe çmimeve të tyre në të ardhmen.

Bizneset në industri, besimi i të cilëve ra me 1.3 pikë përqindje, presin rënie të kërkesës vendase dhe të huaj, si dhe rritje të çmimeve. Ata vlerësojnë me rritje të lehtë prodhimin industrial,  si dhe gjendjen e inventarëve.

Besimi në bizneset e tregtisë ra me 1.1 pikë përqindje, ndikuar nga rënia e ecurisë aktuale dhe pritjet për punësim. Gjithashtu, pritjet për çmimet në të ardhmen u vlerësuan me rënie.

Ndërkohë, shërbimet vijojnë me rritjen e katërt radhazi, me 4.3 pikë përqindje, ndikuar nga aktiviteti aktual dhe kërkesa. Ata presin rritje çmimesh.

Për herë të katërt në radhë rezulton me rritje dhe besimi konsumator, 0.9 pikë përqindje, të cilët presin përmirësim të situatës ekonomike dhe financiare dhe janë gati për blerje në shuma të mëdha. Konsumatorët presin rritje të mëtejshme të çmimeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë