Kombetarja

“Konspiracion” kuqezi, Ergys Kaçe shfaqet në Kombëtare

Në ndeshjen me Skocinë mund të shohim edhe Ergys Kaçen në fushë, edhe pse mesfushori korçar nuk ka qenë pjesë e listës së trajnerit Panuçi. Nuk është fare çudi. Kaçe është shfaqur papritur në stërvitjen e Kombëtares një ditë pas fitores me Izraelin në stadiumin “Elbasan Arena”. Lajmi është zbuluar nga pamjet e stërvitjes të publikuara nga FSHF-ja në “youtube”, ndërkohë që nga ky institucion mungon njoftimi zyrtar për thirrjen e Kaçes, ashtu siç mungonte njoftimi zyrtar për largimin e Eros Grezdës nga grumbulli para ndeshjes me Izraelin.

Trajneri Panuçi ka kërkuar që stërvitja të bëhet me dyer të mbyllura dhe për shtypin ka qenë e vështirë për të mësuar të rejat e fundit, ndërsa zyra e shtypit në FSHF, që e ka për detyrë të bëjë me dije çfarë ndodh në ekipin kombëtar, nuk jep asnjë informacion, madje as kur gjithçka bëhet fakt i kryer. Nuk kuptohet pse ky konspiracion për çfarë ndodh në ambientin kuqezi, kur interesi është i madh, aq më tepër pas fitores me Izraelin, që i jep Shqipërisë kreun e grupit. Lajmi për largimin e Grezdës nga grumbullimi mësohet dy ditë më vonë, ndërsa tani shfaqet befas Ergys Kaçe, për të cilin në konferencë shtypi trajneri Panuçi tha se nuk e kishte grumbulluar, pasi nuk ka luajtur aq sa duhet.

Kaçe (në rreth), gjatë stërvitjes me Kombëtaren në Elbasan pas ndeshjes me izraelin 

Rasti më flagrant i territ informativ për ekipet kombëtare është ai i sulmuesit të Shpresave, Fiorin Durmishaj. Lojtari në fjalë nuk figuronte në listën e trajnerit Alban Bushi, por pak orë para ndeshjes me Spanjën, që u humb 3-0 nga kuqezinjtë, ai ishte pjesë e formacionit të Kombëtares U-21. Pse këto ndryshime të papritura dhe pse nuk bëhen publike nga FSHF-ja? Vështirë të marrësh një përgjigje nga zyrat e FSHF-së, sepse aktualisht pjesëtarët e saj ndodhen në Skoci, por edhe po të ndodheshin këtu, me siguri nuk do ta hapnin gojën. Trajneri Panuçi ka çdo të drejtë t’i japë leje çdo futbollisti që nuk është në gjendje të luajë dhe të ftojë çdo futbollist që ai e mendon si zëvendësues, por nuk ka pse këto ndryshime të mos bëhen të ditura publikisht.

Kaçe dhe Strakosha

Ndeshja me Skocinë luhet më 10 shtator në transfertë dhe është e dyta në grup për kuqezinjtë. Kurse për skocezët është e para, pasi grupi i Shqipërisë është me 3 skuadra. Trajneri Panuçi mund t’i qëndrojë besnik ligjit të pashkruar në futboll se “formacioni fitues nuk ndryshon”, por ndoshta ndonjë lëvizje të vogël mund të ketë, pasi kundërshtari ka karakteristika të tjera në krahasim me Izraelin. Skocia është një ekip shumë fizik dhe trajneri italian e ka të qartë se duhet të përdorë një strategji tjetër për të përballuar furinë e skocezëve. Mund të kemi një skuadër më mbrojtëse në fushë dhe ndoshta edhe ndonjë lojtar si Mavraj nga minuta e parë, duke qenë se duhet më shumë eksperiencë në prapavijë.

Thomas Strakosha është i sigurt në portë, pas paraqitjes së shkëlqyer ndaj Izraelit. Të sigurt janë gjithashtu Elseid Hysaj në të djathtë të mbrojtjes, Migjen Basha dhe Ledian Memushaj, dy lojtarë taktikë shumë të rëndësishëm, Taulant Xhaka që ka entuziazmin e golit të fitores në ndeshjen e fundit, por edhe Egzon Binaku që u paraqit mirë në Elbasan. Dilemat janë për dyshen e qendrës së mbrojtjes dhe për sulmin. Ndoshta trajneri italian mund të shtojë forcat në mesfushë dhe të luajë me Balajn ose Gurin përpara. Në këtë rast i sakrifikuari do të jetë Enis Gavazaj, ndërsa Hyka, që mbajti shiritin e kapitenit ndaj Izraelit, mund të bëjë sulmuesin e dytë. Në këtë ndeshje kuqezinjve do t’u vlente edhe barazimi.

Kuqezinjtë festojnë golin ndaj Izraelit

Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, në një prononcim për “Ora news”, pasi ka vlerësuar fitoren me Izraelin, ka dhënë një koment edhe për ndeshjen me Skocinë: “Ky është një kompeticion zyrtar i vështirë dhe Izraeli nuk ishte kundërshtar i lehtë. Edhe momenti ynë psikologjik nuk ishte shumë i mirë. Fitorja i ka shërbyer ekipit për t’u zhbllokuar dhe për të bërë më mirë në të ardhmen, përveçse është shumë mirë që nisi me 3 pikë. Mbrojtësi Binaku e kaloi provën për të qenë  lojtar i ekipit kombëtar dhe do ta ndihmojë shumë atë në të ardhmen. Strakosha është një pikë shumë e fortë, një portier shumë i mirë, që e  tregoi veten. Skocia është një kundërshtar që luan shumë mirë në shtëpi. Është e vështirë, por shkojmë me synimin për të mos humbur. Ekipi ka nevojë të përmirësohet, sepse edhe me Izraelin patëm probleme”, - tha mes të tjerash Duka.       


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë