Kosova

Konjufca: Opozitës i mungon vullneti për zgjedhje të reja

Nga Gazeta 'Si' - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka thënë të premten se shumica nuk ka vullnet për ta çuar vendin në zgjedhje të reja të parakohshme, sepse “nuk ka arsye” që Qeveria të japë dorëheqje.

“Ky është një rast i rrallë ku të gjitha partitë pajtohen që të shkojnë në zgjedhje, por nuk po arrijnë ta bëjnë këtë gjë”, tha për gazetarët Konjufca, i cili vjen nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Opozita e vendit, përfshirë disa nga partitë më të mëdha si Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Partia Demokratike e Kosovës (PDK), i kanë kërkuar së fundmi Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti të japë dorëheqje.

Ato duan largimin e Qeverisë Kurti për shkak të, siç thonë, dështimeve të vazhdueshme të saj, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në politikën e jashtme.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha në një intervistë për REL-in më 19 mars se për partinë e tij “është njësoj”.

“Nuk kam unë problem për asnjërin variant... Nëse opozita do zgjedhje të parakohshme, duhet të shpërbëhet Kuvendi”, tha ai.

Megjithatë, deri tani ka munguar pajtimi për mënyrën se si të shkohet në zgjedhje të parakohshme.

“Nuk po duket që është punë e frikës, por mungon vullneti i mazhorancës që kjo të ndodhë përmes një dorëheqje të Qeverisë. Qeveritë japin dorëheqje vetëm kur diçka nuk është duke funksionuar”, tha Konjufca.

Aktualisht, Lëvizja Vetëvendosje në pushtet ka 56 deputetë në Kuvendin me 120 ulëse, ndërsa tri partitë opozitare kanë 42. Dy janë të pavarur, ndërsa të tjerët u takojnë partive më të vogla ose komuniteteve pakicë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë