Konfindustria i kërkon qeverisë që të shprehet publikisht lidhur me pretendimin zyrtar të KLSH, se borxhi publik i vendit për vitin 2017 është në nivelin e 72% i PPB ose 2.1% më i lartë sesa deklarimi zyrtar prej 69.9% i qeverisë.
Konfindustria mendon se rasti i fundit i përplasjes ndërmjet Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për nivelin e borxhit publik, është shprehja më e qartë e dyshimeve serioze për saktësinë e tabelave ekonomike dhe financiare zyrtare shqiptare.
Konfindustria thotë, se prej një kohe të gjatë dhe në vazhdimësi ka patur dyshime për shkallën e vërtetësisë të tabelave fiskale, financiare dhe ekonomike të prodhuara nga agjencitë shtetërore shqiptare. “Shkalla e vërtetësisë së tabelave nga institucionet përgjegjëse është ndikuar në vazhdimësi nga mundësitë objektive, shkalla e profesionalizmit, por edhe nga ndikimi politik për përfitime zgjedhore. Përgjegjësia e prodhimit të statistikave zyrtare të sakta dhe mbi të gjitha shmangia e spekullimeve, rritet shumë sot, kur Shqipëria ka emetuar në mënyrë të përsëritur eurobondin në tregjet financiare ndërkombëtare.”-citon konfindustria në njoftimin e saj për shtyp.
Sipas KLSH janë mbi 240 milionë detyrime financiare të padeklaruara dhe të pashlyera, që shteti shqiptar ka ndaj të tretëve, biznese dhe individë. Shpjegimi i qartë nga ana e qeverisë, sqaron Konfindustria, është detyrim jo vetëm para qytetarëve dhe biznesit shqiptar, por edhe para investitorëve dhe agjencive ndërkombëtare.,”Me emetimin e rradhës së eurobondit të qeverisë shqiptare Shqipëria kërkon të jetë pjesë e përhershme e tregjeve ndërkombëtare financiare. Cdo deklarim i pasaktë, aq më shumë i qëllimshëm i rremë i treguesve makroekonomikë të vendit do të kishte pasoja të rënda në afatgjatë dhe do të pasqyrohej në humbjen e besueshmërisë të investitorëve, penalitete, deri në përjashtimin e Shqipërisë nga tregjet financiare botërore. Rasti i Greqisë është ende shumë i freskët.”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.