Politike

Konferenca, axhenda e Hotit në Uashington dhe mesazhi i Ramës për Vuçiç

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ndodhet për një vizitë zyrtare në Tiranë. Ai është pritur me ceremoni shtetërore nga homologu shqiptar, Edi Rama.

Kjo është vizita e parë zyrtare e Hotit në Shqipëri.

Hoti e Rama zhvilluan një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit mes tyre.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, vlerësoi angazhimin e qeverisë shqiptare ndaj akt-akuzës për Presidentin Thaçi dhe Kadri Veselin

Ai tha se janë tri projekte madhore, që duhet të finalizohen midis dy vendeve.

“Janë tre projekte konkrete që ne kemi diskutuar, e para që ka të bëj me krijimin e një pike doganore në Durrës për mallrat e Kosovës.

Ndërtimi i një hidrocentrali në territorin e Shqipërisë për të furnizuar Kosovën me energji dhe projekti madhor i lidhjes së dy vendeve tona me hekurudhë.

Në vjeshtë të këtij viti besoj do të gjenden fondet për realizimin e këtij projekti”, tha Hoti.

Nga ana e tij, kryeministri Rama ka theksuar se temat kyçe të diskutuara ishin Dogana e përbashkët në Durrës, njësimi i dokumenteve për shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve, dhe hapja e kufirit pa kontroll për lëvizjen e njerëzve.

Pyetjes së gazetarëve se si e komenton deklaratën e Vuçiç se nuk do ta njohë kurrë Kosovën dhe se do të negociojë me perëndimin dhe jo me shqiptarët, kryeministri Edi Rama iu përgjigj prerë.

“Presidenti mbron interesat e Serbisë dhe mund të thotë se nuk negocioj me shqiptarët apo negocioj me perëndimin, por nuk ka shans që të negociojë me perëndimin për shqiptarët

…Dua ta them hapur, fatkeqësia që ne shpesh herë na ka ndjekur në historinë tonë është që kur është dashur te jemi Një, kur negociojmë me të tjerët kemi humbur rastet historike sepse nuk negociojmë dot me njeri tjetrin. Nëse jemi Një, Presidenti i Serbisë mund të shkojë në hënë po të dojë në fund do të ulet me ne dhe kur them me ne do të ulet me autoritetet legjitime të shtetit sovran të Kosovës që e njeh apo jo është sovran dhe i paprekshëm në sovranitetin e vet…”, tha Rama.

Kryeministri i Kosovës i dha përgjigje interesimit të gazetarëve lidhur me axhendën e diskutimit që ai do të ketë në Uashington me Richard Grenell.

“Kosova ka institucione legjitime kushtetuese që të marrin të gjitha përgjegjësitë që u takojnë.

Unë jam i gatshëm për të caktuar së shpejti një datë për të filluar së bashku me një axhendë fillimisht ekonomike dhe pastaj tek çështjet e dialogut për njohje reciproke  dhe normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve…”, tha ai

Kryeministri i Kosovës do të qëndrojë vetëm një ditë në Tiranë ku pritet të takojë edhe Presidentin e Republikës, Ilir Meta, kryeparlamentarin Gramoz Ruçi dhe kryetarin e PD-së, Lulzim Basha.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë