Ekonomi

KE “dush” Shqipërisë: PPP-të dhe borxhi kërcënojnë ekonominë

Pavarësisht përpjekjeve për reforma nga ana e qeverisë, Komisioni Europian në vlerësimin e tij për programin e pestë të reformave ekonomike për periudhën 2019-2021, i hartuar nga qeveria shqipare përshkruan një peizazh të errët zhvillimor të vendit dhe një perspektive jo pozitive.

Refreni vijon të mbetet rreziku që kërcënon financat publike nga investimet përmes Partneritetit Publik Privat dhe borxhi i lartë publik. Rritja e projekteve me partneritet publik privat, citon KE, sjell rreziqe kyçe që minojnë planet për reduktimin e deficitit.

Sipas raportit të KE-së, ku i referohet shifrave të Fondit Monetar Ndërkombëtar (sipas të cilave PPP-të rezultojnë sa 31% të prodhimit të brendshëm bruto dhe pritet të shtohen edhe më tej në 2019-n), rritja e këtyre investimeve nuk shoqërohet me shtim të stafit që do të ishte në gjendje të monitoronte dhe vlerësonte këto kontrata dhe projekte komplekse.
Kjo për KE-në do të thotë që detyrimet financiare publike të lidhura me PPP-të, nuk po adresohen si duhet dhe nuk po regjistrohen nga ana statistikore. Pra mungon transparenca dhe përfitimet janë ta paqarta dhe nuk shkojnë tek qytetarët atje ku duhet.

Borxhi publik cilësohet ende i lartë nga KE dhe nevojat e mëdha financiare po rëndojnë në qëndrueshmërinë e borxhit.

Reduktimi i borxhit sipas planit, thekson raporti, varet ndjeshëm nga rritja e lartë ekonomike deri në fund të periudhës së programit.

Avancimi i konsolidimit fiskal mund të lehtësojë rrezikun e mos arritjes së objektivit të reduktimit të borxhit në rast se vendi do të përballet me një rritje më të ulët në vitet në vijim.

Niveli i lartë i punës së padeklaruar dhe evazioni fiskal siguron hapësirë të mjaftueshme për rritjen e të ardhurave tatimore pa rritur normat e taksave. Detyrimet e papaguara dhe detyrimet e paparashikuara dëmtojnë kredibilitetin e pozicionit të borxhit publik.
Parashikimi i verës i KE-së sjellë në fokus edhe shqetësimet në lidhje me mbledhjen e taksave nën potencial që ndikon po ashtu në financat publike.

Shqetësim tjetër është niveli i ulët i konkurrueshmërisë, papunësia e lartë tek të rinjtë, cilësina e ulët të edukimit, mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar, mungesa e vlerësimit të rrezikut për pagesat që duhen bërë për projektet e partneritetit publik privat etj.

Komisioni Europian në vlerësimet e tij, parashikon që investimet e Shqipërisë në arsim dhe shëndetësi të ulen më tej, edhe pse deri më tani kanë qenë nën mesataren e rajonit.
Një nga çështjet ku ndalet raporti është edhe informaliteti i lartë dhe niveli i ulët i të ardhurave publike, që qeveria nuk ka marrë angazhim ti rrisë, megjithëse janë nën potencial.

KE sugjeron që vendi nuk ka nevojë të rrisë taksat, por të shfrytëzojë hapësirën që ka nga evazioni fiskal.

Megjithëse është bërë përparim i dukshëm në mbledhjen dhe administrimin e taksave, citon raporti, të ardhurat nga taksat si pjesë e PBB-së mbeten nën mesataren rajonale dhe sistemi i sigurimeve shoqërore vuan nga një deficit i madh.

Raporti vlerëson se evazioni i TVSH është 30-40% e TVSH-së potenciale, dhe rreth 30% e punësimit vazhdon të mbetet e padeklaruar. Theksohet se përjashtimet e fundit nga taksat për nxitjen e investimeve minojnë më tej mbledhjen e të ardhurave dhe nxisin mashtrimin tatimor, sepse ato komplikojnë sistemin e taksave dhe e bëjnë atë më pak transparent.
Qeveria ka në plan të ulë akoma fondet tashmë të ulëta në arsim që do të bien nga 2.5% në 2.2% të PBB, shëndetësi nga 3.0% në 2.7% të PBB dhe mbrojtje sociale 9.0 % në 8.6% të PBB-së gjatë periudhës së programit.

Sipas raportit, këto investime nuk do të pengojnë një shqetësim tjetër që do ti rëndojë Shiqipërisë në të ardhmen e afërt, afatmesme dhe afatgjatë ikjen e trurit dhe mungesat e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Komisioni vlerëson se qeveria është optimiste për rritjen e investimeve dhe eksporteve, pasi nuk merret në thellësi me pritshmëritë ekonomike të Italisë, partnerit kryesor dhe presupozon që çmimet e naftës do jenë të larta, ndërsa dhe kredia e bankave pritet të jetë e ngadalësuar, pasi ato janë në proces ristrukturimi.

Komisioni thotë se qeveria në programin e saj supozon rritje të investimeve, por nuk adreson kushtet e nevojshme për rritjen e investimeve private ose për përmirësimin e eficiencës së investimeve publike.

Investimet private në Shqipëri pengohen nga mungesa e fuqisë punëtore të kualifikuar dhe cilësia e ulët e shërbimeve publike të arritshme për sipërmarrësit.
KE vijon më tej vlerësimin se sipërmarrësve gjithashtu u mungojnë edhe njohuritë produktive dhe sipërmarrëse, njohuritë dhe qasja në financa.

Shqetësime të tjera që i rëndojnë zhvillimit të vendit janë konkurrueshmëria nga mungesa e efikasitetit në sektorin e energjisë, duke përfshirë sigurimin e pamjaftueshëm të furnizimit.

Gjithashtu mos zhvillimi i sektorit të turizmit, pavarësisht potencialit të madh. KE vlerëson si shqetësim po të madh papunësinë e veçanërisht atë në radhët e të rinjve dhe punën e zezë.

Komisioni Europian rezulton të jetë në sinkron të plotë me FMN-në dhe Bankën Botërore, kryesisht në çështjen e PPP-ve, taksave, detyrimeve të pashlyera të TVSH-së, informalitetin në tërësi e kryesisht në tregun e punës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë