Nga Gazeta Si – Kompozitori i njohur, Limoz Dizdari, ka dalë nga intubimi që gjendej prej ditësh në Spitalin “Shefqet Ndroqi”.
Lajmin e ka bërë me dije ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, e cila mëngjesin e sotëm e ka vizituar kompozitorin Dizdari.
Ndër të tjera, Manastirliu ka vlerësuar punën e mjekëve, të cilët kanë kryer një ndërhyrje të vështirë.
“Jam shumë e emocionuar, sinqerisht keni bërë një punë fantastike. Bravo. Keni vënë edhe muzikën e vetë. Mjeshtri Dizdari tashmë është mirë. Jemi rikthyer ashtu të fortë, si dikur. Jam falënderuese, isha e bindur që do t’ia dilnit, falë përkushtimit tuaj, falë profesionalizmit tuaj, patjetër edhe vullnetit të Limozit që nuk i mungon, për t’ia dalë”, shprehet Manastirliu.
Ndërkohë mjekët e spitalit “Shefqet Ndroqi” kanë shpjeguar se ndërhyrja ka qenë delikate dhe e kryer në kushtet e intubimit, ku i janë vendosur 4 stenda kompozitorit të njohur.
“Është bërë një punë fantastike. 4 stenda i vendosën. Dy javë i intubuar dhe gjitha asistimet janë bërë në kushtet e një pacienti të intubuar gjatë gjithë kohës, me hemodinamikë, i janë vendosur 4 stendat. Pasi problematikat ishin jo vetëm pulmonare, goxha të rënda, me një pneumoni të rëndë, por edhe me një insuficiencë kardiake, që u desh të stabilizohej falë punës së gjithë stafit. Ja hapëm si arterie, i vendosëm 4 stenda dhe për fat për dy ditë reagoi mirë”, shpjeguan mjekët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.