Teknologji dhe Inovacion

Kompania që punëson vetëm persona me spektrin e autizmit

Kur hyn për herë të parë në zyrat e punës të kompanisë “Auticon” përshtypja e parë që të krijohet është ajo e një ambienti si gjithë ambientet e kompanive Hi-tech, ku po punohet me shumë përkushtim e qetësi.

Ambienti është i qetë, punonjësit të përkushtuar dhe gazmorë. Ndryshimi nga kompanitë e tjera, jo vetëm të këtij lloji, është se në kompaninë “Auticon” punonjësit janë të gjithë persona me spektrin e autizmit.

Peter, Evan dhe Brian janë inxhinierë programimi, ndërtimi aplikacionesh dhe riparues avarish dhe në epokën e teknologjisë sfidat nuk janë të pakta. Por, në zyrat e tyre të ngritura pranë një plazhi të Santa Monicas, sfidat përballohen me sukses. Çelësi është puna në grup.

“Këtu është qetë dhe punojmë me pasion. Këtu nuk ekziston ai presioni i socializimit me personat e tjerë. Është një ambient shumë mikpritës dhe mirëkuptohemi me njëri-tjetrin. Është një mjedis i veçantë”, thonë ata.

“Auticon” është një prej kompanive që numërohen me gishtat e njerës dorë, e cila punëson vetëm personat me spektrin e autizmit. Fabrika në Santa Monica u themelua nga Gray Benoist. Si baba i dy djemve autikë ai pa themelimin e kompanisë “MindSpark” si mënyrën më të mirë për t’i punësuar dhe mbajtur ata të angazhuar në jetën e tyre. Gray thotë se personalisht nuk ja kishte fort idenë e teknologjisë në momentin që ndërmori këtë nismë, në vitin 2013.

Gray Benoist themeloi kompanine ne vitin 2013 per te ndihmuar dy djemte e tij me spektrin e autizmit

“Të dy djemtë janë jashtëzakonisht të aftë dhe meritonin një mundësi për të shprehur aftësitë dhe talentin e tyre”, deklaroi ai për BBC.

Falë ndihmës së dy djemve dhe punonjësve të tjerë, nisma e tij rezultoi e suksesshme, aq sa tërhoqi vëmendjen e kompanisë gjermane “Auticon”. Kjo e fundit i bëri një ofertë për ta blerë këtë sipërmarrje. Gray nuk u mendua dy herë.

“Kapacitetet e mia për të zgjeruar kompaninë dhe afruar në të të tjerë punonjës me spektrit e autizmit ishin të pakta. Por, me blerjen nga ana e “Auticon” stafi u shtua dhe sot numëron 150 punonjës.

“Synimi ynë është që të aktivizojmë grupet shoqërore të nënvlerësuara. Ka shumë grupe të tilla dhe njerëzit me spektrin e autizmit janë njëri prej tyre”, thotë Gray.

Mes punonjësve ka nga ata që kanë provuar të punojnë në kompani tradicionale. Peter është njëri prej tyre. Por, kur pyetet sot në lidhje me përvojat e punës në të shkuarën, krahasimet që bën ai janë tepër të zymta. “E kisha të vështirë të komunikoja dhe kuptoja të tjerët. Nuk arrita që të miqësohesha më askënd”, thotë ai.

Evan dhe Peter ndjehen shume te lumtur me punen e tyre ne "Auticon"

Evan nga ana tjetër tregon se në punët e mëparshme nuk arrinte që të përqendrohej dhe miqësimin me kolegët e kishte akoma më të vështirë. “Drekën e haja vetëm duke dëgjuar muzikë me kufje në vesh”, shprehet ai.

Autizmi prek 1 në 100 persona. Punësimi për këtë grup personash në shoqëritë në zhvillim dhe ato të varfra është thuajse zero, ndërsa në vendet e zhvilluara vetëm një e katërta e tyre kanë një punë me kohë të plotë.

Shumë prej tyre dështojnë që në aplikime dhe intervistat e punës për shkak të ankthit, që është më i lartë tek njerëzit e prekur nga spektri i autizmit.

“Njerëzit përpiqen që të punësojnë njerëz që janë si ata dhe të prekurit nga spektri i autizmit nuk janë si ata, por janë si vetvetja”, thotë Steve Silberman, autor i “Neurotribes”, një libër ku analizohet zhvillimi i autizmit.

Steve Silberman, autor i librit "Neurotribes"

“Lista e gjërave që nuk d uhet të bësh gjatë një interviste pune është praktikisht një përkufizim i autizmit. Mos u shpërqendro, shikoje punëdhënësin në sy, mburr vetveten e të tjera si këto janë që të gjitha misione të pamundura për të prekurit nga autizmi”, shton ai.

Brian është rasti që e provon këtë. Ai është shumë i talentuar në punën që bën si programues dhe inxhinier i sigurisë. Në të shkuarën kishte aplikuar për t’u punësuar në kompani më të vogla dhe në pozicione pune me pagë më të ulët. Por, në asnjërën prej tyre nuk arriti që të fitojë në intervista, aq sa hoqi dorë dhe për disa kohë punoi edhe si pastrues në rrugë.

Para se te niste pune si programues tek "Auticon", Brian punoi si pastrues ne rruge dhe lavazhier

“Ka shumë presion. Duhet të konkurrosh kundër njerëzve të tjerë”, thotë ai.

Disa kompani janë ndërgjegjësuar se intervistimi tradicional i personave të prekur nga spektri i autizmit është i padobishëm. Njëra prej tyre është SAP, edhe kjo kompani gjermane. Për personat që autikë, në vend të intervistës, kjo kompani u ofron kandidatëve mundësinë e ndërtimit të robotëve Lego.

“Kjo praktikë tregon aftësitë e zgjidhjes së problemeve për kandidatin, mënyrën dhe kohën e zgjidhjes së këtyre problemeve”, thotë Silberman.

Vetë kompania SAP thotë se punësimin e personave autikë nuk e bën për “bamirësi”, por sepse kontributi i tyre është i vyer dhe rrit ndjeshëm prodhimtarinë e kompanisë.

Personat me spektrin e autizmit shpesh e kanë të vështirë të ndërveprojnë me personat e tjerë në mënyrat “tradicionale”. Për të shmangur këtë, tek kompania “Auticon” ata janë të lirë që nëse shqetësohen nga zhurma të vendosin kufje, nëse duan të punojnë në një dhomë të errët, nëse nuk duan që të marrin pushimin e drekës dhe që të komunikojnë me të tjerët përmes aplikacioneve me mesazhe nëse nuk duan që të komunikojnë me ta drejtpërdrejtë. Për punonjësit që ankthi mund t’i godasë më fort jepen ditë pushimi të veçanta.

“Shëndeti e mirëqënia e punonjësve tanë është përparësia jonë, por kjo nuk do të thotë se lëmë pas dorë punën për t’u dërguar klientëve tanë cilësinë më të lartë”, thotë Gray Benoist.

Si babai i dy djemve autikë, Gray thotë se çelësi kryesor i suksesit të kompanisë është që në çdo rrethanë nuk duhet të jesh kritikë me ta.

Megjithatë, ka njerëz që nuk janë dakort me këtë formë ndarjeje. Njëri prej tyre është Steve Silberman.

Bill Gates, themeluesi i Microsoft

“Duke mësuar menaxhimin e grupeve të ndryshëm punonjësish, punëdhënësit mësojnë edhe se si të ndihmojnë çdo punonjës. Shikoni sot Bill Gates, që me siguri ka rrënjë autizmi. Ai është rritur dhe sot është një filantropist i madh”, thotë Silberman.

Burimi: BBC


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë