Shendet

Komiteti i Ekspertëve për Linë e Majmunit, Manastirliu: Shqipëria me risk të ulët, po fuqizojmë kapacitetet

Komiteti i Ekspertëve për Parandalimin dhe Kontrollin e Lisë së Majmunit është mbledhur sot në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për planin e masave për parandalimin e përhapjes së këtij virusi.
“Kemi ngritur një komitet të ekspertëve për parandalimin dhe kontrollin e lisë së majmunit, duke vendosur prioritet hartimin e një plani të përgjigjes dhe gatishmërisë për të gjitha strukturat, në funksion të parandalimit dhe kontrollit të kësaj sëmundje infektive.

Ndaj ky komitet do të punojë për të monitoruar dhe për të ndjekur planin e masave që po hartohet nga ISHP. Tashmë drafti i parë i planit të masave ka përfunduar. Pavarësisht se Shqipëria është një vend që hyn në vendet e nivelit të parë, pra konsiderohet me një risk të ulët, masat tona dhe përgatitja jonë do të jetë e plotë në mënyrë që të fuqizojmë kapacitetet tona”, tha Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se janë marrë masa për fuqizimin e kapaciteteve, duke nisur nga testet laboratorike specifike që tashmë kryhen në ISHP.

Ministrja shtoi më tej se aktualisht kanë mbërritur në Institut përgjatë kësaj periudhe 3250 teste për identifikimin dhe diagnostikimin e lisë së majmunëve.
“Instituti i Shëndetit Publik ka marrë masat së bashku me Operatorin e Kujdesit Shëndetësor, me strukturën e Spitalit Infektiv në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” për trajnimin e mjekëve, një element shumë i rëndësishëm në funksion të kontrollit dhe parandalimit të kësaj sëmundje”, tha Manastirliu.

Ndërsa, Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, Silva Bino u shpreh se deri më tani është bërë përgatitja laboratorike.
“Kemi kryer edhe trajnime dhe do të kryejmë edhe trajnime të mëtejshme në lidhje me marrjen dhe transportin e mostrës, pasi edhe rekomandimet kanë ndryshuar sidomos edhe kohët e fundit në lidhje me marrjen e disa mostrave, për të qenë sa më efikasë në diagnostikim”,shtoi Bino.
Më datë 23 Korrik, OBSH ka aktivizuar në nivelin e saj të lartë alarmin në lidhje me shpërthimin e lisë së majmunëve, duke shpallur këtë virus një emergjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë