Nga Gazeta ‘SI’- Komisioni për Ekonominë, Punësimin dhe Financat nuk miratoi projektligjin e paraqitur nga deputeti Enno Bozdo për uljen e taksës së qarkullimit të karburanteve, duke e cilësuar nismën si të parakohshme dhe jashtë kuadrit të reformave të përgjithshme fiskale.
Nisma synonte reduktimin e taksës së qarkullimit me 20 lekë për litër, duke e rikthyer atë në nivelin e vitit 2013, me qëllim uljen e çmimit final të karburanteve për konsumatorët. Sipas propozuesit, masa do të ndihmonte familjet dhe bizneset në përballimin e rritjes së çmimeve, të ndikuara nga situata ndërkombëtare dhe tensionet në Lindjen e Mesme.
Gjatë diskutimeve në komision, Bozdo argumentoi se Shqipëria renditet ndër vendet me rritjen më të lartë të çmimeve të karburanteve, ndërsa theksoi se ndërhyrja në taksën e qarkullimit do të sillte një lehtësim të menjëhershëm për qytetarët. Ai propozoi gjithashtu edhe ndërhyrje të tjera, si përdorimi i rezervave për të stabilizuar tregun.
Megjithatë, deputetët e shumicës ngritën shqetësime për ndikimin që një masë e tillë do të kishte në të ardhurat buxhetore dhe në balancat fiskale.
Deputetja Brunilda Çakerri tha se të ardhurat nga kjo taksa e qarkullimit arrijnë në rreth 37 miliardë lekë në vit dhe përbëjnë një burim të rëndësishëm për financimin e infrastrukturës dhe shpenzimeve publike.
Ajo nënvizoi se ndërhyrjet në taksa të tilla kërkojnë një analizë të plotë dhe duhet të jenë pjesë e paketave fiskale të mirëmenduara, duke shmangur vendimmarrje të fragmentuara që mund të krijojnë paqartësi në planifikimin financiar.
Përfaqësues të Ministrisë së Financave theksuan se aktualisht qeveria është duke punuar në kuadër të reformave fiskale dhe procesit të integrimit europian, ku çdo ndryshim në politikat tatimore po shqyrtohet në bashkëpunim me Bashkimin Europian.
Në të njëjtën linjë, kryetarja e komisionit Milva Ekonomi theksoi nevojën për kujdes në ndërhyrjet fiskale, duke iu referuar rekomandimeve të institucioneve ndërkombëtare për ruajtjen e stabilitetit financiar në kushtet e krizave globale.
Në përfundim, Komisioni vendosi të rrëzojë projektligjin, duke lënë të hapur mundësinë që çështje të tilla të trajtohen në kuadër të paketave të ardhshme fiskale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje