Ekonomi

KE ul parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Ndikohet nga shtrenjtimi i energjisë

Komisioni Europian ka ulur me 1% parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë, duke e çuar në 2.7%

KE thotë se ulja nga parashikimi i nëntorit ku ishte 3.7% vjen për shkak të pritshmërive të rritjes së borxhit publik nga shtrenjtimi i energjisë elektrike.

Për 2023-shin, KE-ja parashikon rritje ekonomike me 3.1% e ndikuar kryesisht nga ndikimi i pushtimit rus të Ukrainës, edhe pse vetëm në mënyrë indirekte pasi Shqipëria ka pak ekspozim të drejtpërdrejtë ndaj të dy vendeve.

Në raport theksohet se pasiguria për ekonominë do të frenojë konsumin dhe investimet private. Ato publike do të vazhdojnë, pro të reduktuara.

Rishikimi ka ardhur në kuadër të uljes së bërë për të gjithë Europën, si rrjedhojë e pasojave që po sjell lufta në çmimet e energjisë dhe në inflacion.

“Rreth 1.5% të PBB-së janë riorientuar për të subvencionuar energjinë elektrike dhe karburantin, si dhe rritjen e mbështetjes sociale. Kërkesa e ulët e brendshme pritet të frenojë rritjen e importeve. Nga ana tjetër, turizmi, i cili varet kryesisht nga turistët rajonalë dhe të BE-së, parashikohet të vazhdojë të mbështesë rritjen e eksporteve të shërbimeve, gjë që pritet të kthejë lehtësisht në pozitiv kontributin e eksporteve neto. Në përgjithësi, rritja ekonomike parashikohet në 2.7% në 2022 dhe 3.1% në 2023. Ky ngadalësim dhe rritja e pagave ka të ngjarë të zbusë rritjen e punësimit në 2023. Megjithatë, e nxitur nga mungesat e fundit të fuqisë punëtore, shkalla e papunësisë pritet të bjerë nën 11%. deri në vitin 2023”.

Komisioni Europian ka ulur parashikimin ekonomik edhe për vendet e BE-së, përsëri lidhur me luftën në Ukrainë.

Në parashikimet e fundit të pranverës, KE pret rritje reale të PBB-së si në BE ashtu edhe në eurozonë prej 2.7% në vitin 2022, nga 4% që ishte parashikuar tre muaj më parë.

Rritja pritet të ngadalësohet në 2.3% në 2023, nga një parashikim i mëparshëm prej 2.8% në BE (dhe 2.7% në zonën e euros).

Me rritjen e çmimeve të energjisë këtë vit, inflacioni pritet të jetë mesatarisht 6.1% në vitin 2022 dhe të arrijë në 6.9% në tremujorin aktual (në prill ishte 7.5%, norma më e lartë në historinë e unionit monetar).


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë