Nga Gazeta 'Si'- Shqipëria ka vijuar të bëjë progres në reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsion, thotë progres raporti i Komisionit Europian.
Në këtë raport thuhet se Shqipëria ka vazhduar të bëjë progres në reformat nën grupin themelor, veçanërisht në reformën gjithëpërfshirëse në drejtësi dhe procesin e vetingut.
Po ashtu theksohet se angazhimi aktiv i Shqipërisë gjatë mandatit të saj si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit të OKB-së deri në fund të vitit 2023, dëshmon për zgjedhjen e saj strategjike për anëtarësimin në BE dhe rolin e një partneri të besueshëm ndërkombëtar.
“Pas konferencës së parë ndërqeveritare për negociatat e anëtarësimit në korrik 2022, seancat e shqyrtimit për të gjashtë grupet e acquis të BE-së përfunduan në nëntor 2023. Në fund të vitit 2023, Komisioni i paraqiti Këshillit raportin e vlerësimit të standardeve hapëse, ku ai arriti në përfundimin se Shqipëria kishte përmbushur kërkesat për hapjen e negociatave për grupin themelor.
Komisioni përshëndet hapjen e negociatave për grupin themelor në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor, e cila shënoi një moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit. Komisioni gjithashtu mbështet hapjen e negociatave për grupin 6 – Marrëdhëniet me Jashtë deri në fund të vitit nëse trendi pozitiv vazhdon”, theksohet më tej.
Gjithashtu Komisioni Europian mbështet ambiciet e Shqipërisë për të mbyllur kapitujt negociues me BE-në në fund të vitit 2027. KE thotë se për të arritur këtë objektiv, qeveria duhet të ndërmarrë disa veprime.
“Qeveria shqiptare sinjalizoi objektivin e saj për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027 dhe Komisioni është i gatshëm të mbështesë këtë objektiv ambicioz. Për të arritur këtë qëllim, është vendimtare që autoritetet të intensifikojnë më tej ritmin e reformave të orientuara drejt BE-së, kryesisht sundimi i ligjit, të konsolidojnë performancën e organeve ligjzbatuese, të luftojnë me efikasitet korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe të promovojnë të drejtat themelore, përfshi lirinë e medias, të drejtën e pronës dhe të pakicave", thuhet në të.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.