Kombetarja

Kombëtarja U-21, Vrioni dhe Imeri kërkojnë fitoren me Turqinë

Ditën e shtunë, një ditë pas kombëtares së madhe në fushën e lojës kundër Turqisë do të luajë edhe përfaqësuesja U-21. Në prag të kësaj ndeshje të parë eliminatore në konferencën e zakonshme për shtyp kanë dalë dy talente të spikatur të ekipit të Alban Bushit, Giacomo Vrioni dhe Omer Imeri.

Giacomo Vrioni, sulmuesi që luan për Venezian në Itali në fjalën e tij nënvizoi se skuadra do të japë maksimumin për ta nisur me një rezultat pozitiv fushatën eliminatore. “Shpresojmë të bëjmë maksimumin si në çdo ndeshje të sezonit të kaluar eliminator dhe të na vijnë sa më shumë njerëz për të na përkrahur. Synimi është të bëjmë më të mirë dhe jemi të sigurt që do e bëjmë këtë dhe do kërkojmë tre pikët në çdo takim. Kombëtarja? Unë e kam bërë zgjedhjen time, kam qenë edhe në kombëtaren e madhe dhe luajta 20 minuta kundër Izraelit. Rivalët e grupit? Të gjitha ekipet në grup janë të forta, të gjithë jemi njësoj. Do japim të gjithë maksimumin për të grumbulluar sa më shumë pike”.

Ndërsa talenti që luan për Shkëndinë në kampionatin maqedonas, Omar Imeri në fjalën e tij nuk e fshehu emocionin e përfaqësimit të Shqipërisë. “Nuk na kënaq barazimi, shpresoj të japim maksimumin në fushë dhe të fitojmë ndeshjen. Është ndeshja e parë dhe është e rëndësishme. Besoj se do e fitojmë. Shpresojmë t’i marrim gjashtë pikë në këto dy ndeshje. Na rreh gjaku të luajmë për Shqipërinë. Jam i kënaqur për zgjedhjen që kam bërë”.

Ndeshja e parë eliminatore Shqipëri-Turqi U-21 do të zhvillohet më 23 Mars duke filluar nga ora 19:00 në stadiumin “Elbasan Arena”.

 

Më Shumë