Kombetarja

Kombëtarja U-21 përballë Spanjës vetëm për të ruajtur dinjitetin

Skuadra kombëtare U-21 vijon përgatitjet e saj në vigjilje të ndeshjes zyrtare eliminatore me ekipin spanjoll, si dhe të transfertës në Parnu me Estoninë. Edhe pse pa një ndeshje pa ndonjë rëndësi të madhe nga pikëpamja e kualifikimit në këtë ndeshje, kombëtarja e vogël “kuqezi” do të zbresë në fushë për të ruajtur dinjitetin. Trajneri Alban Bushi ka vijuar planin e tij, teksa ekipi është përgatitur me dy seanca stërvitore. Pëpara mediave këtë të martë dolën futbollistët Albjon Ademi dhe Shaqir Tafa. Njëri sulmues që aktivizohet në radhët e skuadrës finlandeze të Inter Turku dhe tjetri, mbrojtës që luan me ekipin Italian të Cuneos. Për këto dy takime të fundit eliminatore, sulmuesi Albjon Ademi theksoi se është e rëndësishme që grupi të mbyllet me fitore.

“Edhe pse tashmë jemi jashtë objektivit, përsëri kemi vlerësuar maksimalisht këto dy ndeshje, të cilat do të mbyllin edhe serinë e ndeshjeve për grupin tonë. Fillimisht të shohim Spanjën, më pas do të kemi kohë të mendojmë për Estoninë. Spanjollët dihen për potencialet dhe forcën që kanë, por ne do të bëjmë maksimalen tonë, dhe përtej saj, në mënyrë që të bëjmë një paraqitje më shumë se sa dinjitoze. Gjatë gjithë ndeshjeve, me më pak vëmendje mund të kishim më shumë pikë, sidoqoftë le të përqendrohemi te këto dy sfida të fundit dhe të marrim më të mirën e mundshme. Zgjodha me bindje të luaj për vendin tim dhe, ndërsa për ekipin kombëtar A, duhet të punojmë shumë, si në klubet tona, edhe në ekipin kombëtar U-21”,- theksoi Ademi.

Nga ana e tij, mbrojtësi kuqezi Shaqir Tafa në fjalën e tij nënvizoi vështirësinë që paraqet kjo sfidë me ekipin spanjoll.

“Kundër Spanjës do të jetë një ndeshje e vështirë, pasi janë skuadër me element të shumtë cilësorë, por edhe një ekip kompakt. Do mundohemi ti limitojmë në hapësirat e tyre ofensive. Ndoshta rezultati i takimit në Spanjë nuk ishte edhe shumë real për lojën që bëmë, sidoqoftë duhet të kemi edhe pak fat. Ata janë të parët e grupit, por ne do të bëjmë lojën tonë për të arritur më të mirën. Mendojmë të kufizojmë maksimalisht në hapësirat e tyre, për të mos i lënë mundësi. Edhe unë ndaj të njëjtin mendim që ne mund të kishim më shumë pikë, nëse do të tregonim më shumë përqendrim e kujdes deri në fund të lojës, ku dhe jemi penalizuar shpesh. Na mbetet të bëjmë më të mirën tonë tashmë për të mbyllur me pikë këtë raund eleminator”,- tha ndër të tjera mbrojtësi i ekipit përfaqësues U-21.

Shqipëria U-21 është jashtë çdo objektivi në këtë grup dhe përballë skuadrës më të fortë të grupit, Spanjës thjesht do të tentohet të bëhet një paraqitje dinjitoze.


Copyright © Gazeta “Si”




Më Shumë