Kombetarja

Kombëtarja U-21 i mbyll me barazim eliminatoret e Europianit

Kombëtarja shqiptare U-21 i ka mbyllur me barazim eliminatoret e kampionatit europian. Kuqezinjtë e vegjël kanë barazuar mbrëmjen e së martës me Estoninë në shifrat 2 me 2. Sfida e zhvilluar në stadiumin “Parnu Rannastaadion” nuk mundi të kurorëzonte me triumf këtë fushatë për ekipin e drejtuar nga Alban Bushi, që edhe këtë sezon nuk shkoi më tej se një vend i parafundit në grup.

Ndeshja filloi mjaft mirë për skuadrën e drejtuar nga trajneri Alban Bushi. “Shpresat”  e kanë gjetur të parët golin me anë të Taulant Sulejmanov që në minutën e 12-të të pjesës së parë. Por nuk vonoi shumë edhe reagimi i vendasve, të cilët në minutën e 32-të kanë barazuar me anë të Livak. Në shifrat 1-1 mbyllet pjesa e parë edhe pse të dyja ekipet i patën disa shanse për të shënuar golin e dytë. Në 45 minutat e dyta, është sërish Shqipëria, ajo që kalon avantazh e para. Në minutën e 69-të po i njëjti lojtar, Sulejmanov që kompletoi dopietën e tij personale, duke rritur shpresat për të dalë me një fitore nga Estonia, që ishte dhe vendi i fundit i grupit. Por vendasit janë treguar të duruar dhe në minutën e 87-të, ia arritën që të barazojnë sërish me anë të Kuusk.

Mbyllet kështu në barazim kjo sfidë dhe në total kjo fushatë eliminatoresh për ekipin e Alban Bushit. Përtej të gjitha pritshmërive që ishin në fillimin e edicionit edhe këtë herë Shqipëria U-21 nuk ka shkuar më shumë se vendi i parafundit në grup edhe pse duhet thënë se rivaliteti ishte shumë i madh.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë