Kombetarja

Kombëtarja U-21 dështim total, mundet 3-0 nga Spanja

Edhe pse me formacionin më të mirë të mundshëm, madje duke marrë lojtarë mbi 21 vjeç që luajnë tashmë në kombëtaren A, ekipi kuqezi U-21 është mundur thellë nga Spanja. Skuadra e drejtuar nga Alban Bushi është mposhtur në shifrat 3-0 nga iberikët që nuk kanë pasur asnjë vështirësi përballë Shqipërisë.

Sfida e vlefshme për grupin e dytë eliminator ishte disfata e tretë radhazi, duke bërë që edhe kjo fushatë nën drejtimin e Alban Bushit të shkojë drejt dështimit total.

Ndeshja filloi me “malore” që në minutat e para për Shqipërinë, teksa në minutën e 5’, Spanja kalon në avantazh më anë të Oyarzabal. Iberikët luajnë të pashqetësuar gjatë gjithë ndeshjes, ndaj një Shqipërie që dukej e pafuqishme për të reaguar.

Në minutën e 56’ talentet e shumta spanjolle do të gjenin edhe golin e dytë të ndeshjes. Ishte ylli i Real Madrid Mayoral që shënoi për iberikët dhe që nga ai moment ndeshja nuk kishte më histori.

Por kur u mendua se ndeshja u mbyll më një humbje 2-0, ka ardhur edhe turpërimi nga ana e vendasve. Në minutën e 92’, Spanja shënon edhe golin e tretë, për të marrë kështu një fitore të thellë përballë Shqipërisë që nuk tregoi asgjë nga ajo që pritej në këtë përballje, duke pasur parasysh që nuk kishte mungesa.

Në këtë grup eliminator, pas tetë ndeshjesh, kombëtarja shqiptar U-21 numëron vetëm 6 pikë duke u pozicionuar në vendin e pestë. Pas vetes kombëtarja jonë e 21-vjeçarëve ka lënë vetëm Estoninë me vetëm 1 pikë. Sakaq, përfaqësuesja U-21 e Spanjës ka siguruar prej kohësh kualifikimin, pasi kryeson e vetme grupin në kuotën e 21 pikëve në 7 ndeshje, 9 pikë më shumë se Sllovakia e vendit të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë